Rusia nuk dëshiron ta zgjasë përtej të dielës së Pashkëve armëpushimin në Ukrainë. Kremlini tha se nuk do ta përmbushë kërkesën e Ukrainës për një armëpushim 30-ditor. Presidenti Vladimir Putin nuk ka dhënë urdhër për zgjatjen e armëpushimit që shpalli për Pashkët, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass.
Presidenti ukrainas Zelenski i propozoi sërish Rusisë që të pezullojë për të paktën 30 ditë sulmet me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë. "Nëse Rusia nuk pajtohet me një hap të tillë, kjo dëshmon se ajo dëshiron vetëm të vazhdojë ato gjëra që shkatërrojnë jetë njerëzore dhe zgjasin luftën”, shkroi Zelenski në platformën X.
Akuza reciproke
Megjithë armëpushimin 30-orësh për Pashkët, që shpalli presidenti rus Putin, Ukrania dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për sulme të vazhdueshme gjatë ditës së dielë.
"Ne e dimë shumë mirë se si manipulon Moska dhe jemi të përgatitur për çdo gjë." - tha presidenti Zelenski. "Çdo goditjeje ruse do ti përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme" - tha Zelenksi, sipas të cilit fjalëve të Moskës nuk mund tu besohet. Megjithatë presidenti ukrainas pranoi: "Në disa zona situata është qetësuar".
Nga ana tjetër Rusia i akuzoi forcat e armatosura ukrainase se kanë shkelur armëpushimin dhe kanë vazhduar sulmet, ndër të tjera në rajonin Donetskut. Gjatë natës së të dielës kishte pasur dhjetëra sulme me dron nga pala ukrainase, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes. "Si rezultat ka të vdekur dhe të lënduar në radhët e popullatës civile dhe dëmtime të ndërtesave civile," thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Informacioni i dhënë nga palët ndërluftuese nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur./DW