Një hemorragji cerebrale është shkaku i mundshëm i vdekjes së Papa Françeskut, jo problemet e frymëmarrjes që rrjedhin nga pneumonia e tij e fundit kërcënuese për jetën, raportoi ANSA duke cituar burime të mirinformuara.
Sipas asaj që ka mësuar ANSA, hemorragjia e trurit është shkaku i mundshëm i vdekjes së Françeskut.
Vdekja e tij ndodhi papritur mëngjesin e sotëm në orën 7:35 dhe, siç raportohet, nuk lidhej drejtpërdrejt me sëmundjet e frymëmarrjes. Hemorragjia cerebrale është në fakt një variant më i keq dhe më fatal i një goditjeje në tru.
Papa Françesku, i cili u nda nga jeta sot në moshën 88-vjeçare, i është nënshtruar një operacioni të vështirë për t’i hequr një pjesë të mushkërive kur ishte i ri. Me kalimin e viteve, ai përballej shpesh me probleme të frymëmarrjes, përfshirë bronkitin, gjë që e çoi në shtrimin e tij disa herë në spital.
Momentet kryesore nga historia e tij shëndetësore:
1957: Në të njëzetat e hershme, Papa Françesku pësoi një infeksion të rëndë respirator që kërkonte që mjekët ti hiqnin një pjesë të mushkërisë së djathtë.
Korrik 2021: Papa kaloi dhjetë ditë në Spitalin Gemelli të Romës, ku iu hoq një pjesë e zorrës së trashë me operacion për të trajtuar një shtrëngim të rëndë të zorrëve.
Janar 2023: Ai iu nënshtrua një operacioni tre-orësh gjatë të cilit iu riparua hernia.
Prill 2023: Papa u shtrua përsëri në spital për një infeksion të frymëmarrjes, pasi përjetoi dhimbje të forta në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Mjekët më pas e diagnostikuan atë me bronkit akut.
Qershor 2023: Ai iu nënshtrua një tjetër operacioni abdominal në spitalin Gemelli.
14 shkurt 2025: Papa u shtrua në spital pasi luftoi me bronkitin për më shumë se një javë.
19 shkurt 2025: Mjekët e diagnostikuan atë me pneumoni dypalëshe.
24 shkurt 2025: Testet e gjakut treguan probleme fillestare, të lehta të veshkave.
28 shkurt 2025: Papa përjetoi një “krizë të izoluar të frymëmarrjes”, shoqëruar me të vjella, të cilat çuan në një përkeqësim të papritur të gjendjes së tij të frymëmarrjes.
3 mars 2025: Françesku pësoi dy episode të dështimit të frymëmarrjes.
23 mars 2025: I dobësuar dukshëm, Papa Françesku lirohet nga spitali.