Superliga e Kosovës ka përmbyllur këtë fundjavë xhiron e 30-të, me rezultate që kanë ndikuar ndjeshëm si në garën për titull, ashtu edhe në luftën për të shmangur rënien nga elita.
Lideri aktual, Drita, ka shënuar fitore jetike në udhëtim ndaj Suharekës me rezultat 2-1, duke e forcuar pozitën në krye të tabelës dhe njëkohësisht duke e futur kundërshtarin në telashe të mëdha për mbijetesë.
Ndërkohë, Ballkani – kampioni në fuqi – u ndal me barazim spektakolar 3-3 në udhëtim ndaj Feronikelit ’74, një skuadër që tashmë është e rënë matematikisht nga liga. Ky rezultat e lë Ballkanin 12 pikë pas Dritës dhe me shanse gjithnjë e më të vogla për ta mbrojtur titullin.
Në sfidat tjera të javës, Llapi ka marrë një fitore të madhe ndaj Malishevës në udhëtim me rezultat 3-1, duke mbajtur gjallë shpresat për një përfundim të mirë në sezon.
Prishtina e Arsim Thaçit nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Ferizajt në ‘Fadil Vokrri’, në një përballje ku kryeqytetasit nuk arritën të shfrytëzojnë përparësinë e fushës.
Dueli mes Gjilanit dhe Dukagjinit u mbyll me ndarje të pikëve, 1-1, me skuadrën gjilanase që shmangu humbjen vetëm falë një goli të vonshëm të Armend Thaçit.
Me vetëm katër javë të mbetura deri në fund të sezonit, Drita vazhdon e qetë drejt titullit me 66 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 54 pikë.
Por dramatika e vërtetë është poshtë në tabelë. Lufta për mbijetesë është ndezur, ku katër skuadra ndahen vetëm nga dy pikë: Gjilani, Llapi dhe Prishtina kanë nga 39 pikë, ndërsa Dukagjini është në vendin e shtatë me 37 sosh, pozitë që dërgon në barazh.