Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë kundër një personi që shiste dhe shpërndante dr*ogë në Suharekë

- Gazeta e Prizrenit

Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë kundër një personi që shiste dhe shpërndante dr*ogë në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Y. Morinës, që dyshohet për veprat penale të “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” në përputhje me nenin 267 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 16 prill 2025, rreth orës 22:00, Morina, pa autorizim, ka shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” me peshë të përgjithshme prej 1kg e 143 gram, për të cilat u gjetën prova gjatë kontrollit në automjetin e tij “Opel Astra”. Gjatë kontrollit, në sirtarin e pasagjerit të automjetit u gjet një shishe qelqi me 0.61 gram marihuanë dhe një mulli (grinder).

Po ashtu, pas bastisjes në shtëpinë e tij në fshatin Reshtan, Komuna e Suharekës, janë zbuluar substanca narkotike të llojit marihuanë në sasi të mëdha, të cilat janë sekuestruar si prova:

Një shishe plastike ngjyrë e gjelbër me 2.34 gram marihuanë.

Një qese e tejdukshme me 126.26 gram marihuanë.

Një kavanoz qelqi me 27.21 gram marihuanë.

Një kavanoz qelqi me 251.34 gram marihuanë.


Një kavanoz qelqi me 228.29 gram marihuanë.

Një kavanoz qelqi me 255.63 gram marihuanë.

Një kavanoz qelqi me 251.30 gram marihuanë.

Dy qese plastike me 72.72 gram marihuanë.

Qese plastike për paketim të marihuanës dhe mbetje të substancave narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë.

Mulli për bluarje dhe peshore digjitale.

Me këto veprime, Morina ka kryer veprën penale të “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit