Nga Milani në Napoli, gara në këtë aks italian për titullin ngjan gjithnjë e më shumë me një thriller, i ndërtuar mbi tension, kthesa dhe emocione të papritura. Dhe në këtë skenë dramatike, zëri i një prej mjeshtrave të pankinës italiane, Fabio Capello, nuk mund të mungonte.
Legjenda e stolit ka analizuar për “Gazzetta dello Sport” fundin e kampionatit dhe ka lëshuar disa sinjale alarmi për Interin, duke ngritur në qiell Napolin e Contes, por pa kursyer kritikat për trajnerin puljez.
“Pothuajse sikur të ishte një film, – nis Capello. – Por jo, e dimë mirë që nuk është kështu. Përkundrazi, mendoj se fjalët e Contes rrezikuan seriozisht të kenë një ndikim negativ te skuadra e tij ndaj Monzës. Të thuash se në Napoli nuk mund të bëhen disa gjëra, ndërsa je ende në garë për titull, duket sikur objektivi i titullit të ishte një iluzion… Më duket e çuditshme gjithë kjo polemikë”.
Një mesazh i qartë, i drejtpërdrejtë, që synon të hedhë dritë mbi tensionin e brendshëm që, sipas tij, Conte mund të ketë krijuar me deklaratat e fundit. Ndërkohë, Capello ka ndryshuar mendje edhe për favoritin në këtë sprint final për titull: “Pas fundjavës së fundit, gjithçka është përmbysur. Skuadra e Inzaghit ka luajtur dhe do të luajë shumë ndeshje në disa kompeticione, në kampionat ka një kalendar më të vështirë se rivalët. Pa e anashkaluar atë, sot Napoli është bërë favoriti kryesor në garën për titull”.
Interi, që dikur dukej si një makinë perfekte, ka nisur të japë sinjale dobësie. Capello e sheh këtë sidomos në detajet e vogla, që vendosin ndeshjet:
“Ta nisim nga fundi: një skuadër solide dhe e fortë si Interi nuk mund të pësojë një gol vendimtar në minutën e 94-t, në atë mënyrë, si ndaj Bologna. Ishin shtatë mbrojtës kundër tre sulmuesve në zonën zikaltër, pas një rivënie anësore, dhe Orsolini goditi i papenguar në shtyllën e dytë. Një shpërqendrim i papranueshëm.
Lodhje? Më shumë mendore, por kjo është e kuptueshme. Sidoqoftë, në sezonin e Interit ka pasur edhe mendjelehtësi, si në Parmë, para pak javësh. Kjo ndodh kur ndihesh më i fortë dhe ul nivelin e përqendrimit. Kur Interi luan si Inter, zakonisht fiton. Kur nuk vrapon me 100 për qind, atëherë rrezikon kundër çdokujt”.
Një analizë e thelluar, që nuk ndalet vetëm tek aspekti teknik, por prek edhe ndjeshmërinë psikologjike të skuadrës zikaltër. “Po, sidomos në aspektin psikologjik, – shpjegon Capello, kur pyetet nëse një pikë më shumë do të kishte bërë diferencën. – Do ta mbante kryesimin dhe nuk do t’i jepte Napolit ndërgjegjësimin se e ka fatin në duart e veta. Tani lojtarët e Contes e dinë që nëse i fitojnë të gjitha ndeshjet, në rastin më të keq shkojnë në një ndeshje shtesë. Dhe kjo ndjesi të çliron forca që s’i imagjinon në kushte të tjera”.
Capello nuk e mbyll pa bërë një vërejtje të drejtpërdrejtë për zgjedhjet taktike të Inzaghit në ndeshjen ndaj Bologna: “Nuk e kuptova zgjedhjen e tij për ta nisur me Correa titullar dhe Arnautovic në stol, duke qenë se Thuram ishte i padisponueshëm. Jam i hutuar, sepse nëse austriaku nuk ishte në gjendje për të luajtur, atëherë nuk do të kishte hyrë as në fund të ndeshjes ndaj Bayernit pak ditë më parë. Apo as në atë të “Dall’Ara”. Pra, si zgjedhje teknike, më duket shumë pak bindëse”.
Mes polemikave, dyshimeve dhe analizave, gara për “scudetto” hyn në një fazë ku çdo detaj, çdo deklaratë dhe çdo vendim teknik mund të bëjë diferencën. Dhe Fabio Capello, me fjalët e tij, sapo ndezi një tjetër shkëndijë në këtë duel të zjarrtë mes Interit e Napolit.