“Vendin po e çoni drejt shkatërrimit”, promemoria e Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën më 1953! Pas kritikave, dënimi me burg!

- Bota Sot

“Vendin po e çoni drejt shkatërrimit”, promemoria e Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën më 1953! Pas kritikave, dënimi me burg!

Kasëm Trebeshina ishte veprimtar i Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pas Çlirimit qe ushtarak, aktor teatri, shkrimtar. Për qëndrimet e tij kundër dogmave letrare të realizmit socialist u bë ndër disidentët e parë shqiptarë.

U dënua disa herë me burgim e internime dhe vepra e tij u ndalua, duke mundur t’i botohej vetëm pas viteve ’90 në Prishtinë me ndërmjetësimin e Martin Camajt. Duke lëvruar gati të gjithë zhanret e letërsisë, Trebeshina ka lënë mbi njëqind dorëshkrime. Studiues të letërsisë shqipe janë shprehur se Trebeshina qe nismëtar i surrealizmit në letërsinë shqipe. Kasëm Trebeshina lindi më 8 gusht 1926 në Berat. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, fitoi bursë dhe nisi të mesmen e kohës në Normalen e Elbasanit. Gjatë kohës së shkollës, llagapin e deriatëhershëm Vinokashi ia zëvendësuan me Trebeshina. Shkollimi i ndërpritet më 8 prill 1942, kur u arrestua si pjesëmarrës i një celule komuniste të Grupit të Shkodrës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë partizan me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, herë komandant e herë zv/komisar i Brigadës së XII.

Ka luftuar në zonën Fier-Mallakastër edhe kundër Ballit Kombëtar, ndërsa më vonë veproi në Vlorë, Himarë, Sarandë. Pas vendosjes së regjimit komunist, një dokument i 1945 për organigramën e Drejtorisë së Mbrojtjes të Popullit e tregon si njërin prej drejtuesve të Seksionit të I-rë. Më 1945-1946 shërbeu po ashtu si ndihmësgjyqtar i Bilbil Klosit. Ndërsa Trebeshina në vëllimin e tij me kujtime Dafinat e thara pohon se ishte emëruar, por nuk shërbeu asnjëherë si oficer sigurimi, emërimin e refuzoi dhe vijoi si ushtar i përkohshëm. Në dosjen përpunuese nga Sigurimi, pas luftës qe toger në ushtri. I caktuar kursant pranë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare pati shumë fërkime me ushtarakët jugosllavë, e degdisën në Gjirokastër dhe më 8 janar 1948 e dëbuan nga ushtria për qëndrimet e tij të përsëritura. Kasëm Trebeshina shkoi me studime në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit, por nuk i përfundoi. Sipas romanit “Shkrimtari” të Mehmet Myftiut, ku autori personifikon Trebeshinën me Hysen Shkretën, miku i tij e la shkollën, pasi lexoi deri në fund veprat e Bajronit. Në fillim të viteve ’50 punoi si aktor në Teatrin Popullor të Tiranës. Botimi i tij i parë është në vitin 1953, kur botoi dramën historike Kruja e çliruar.

Promemoria

Pas rënies së regjimit komunist, albanologu Elsie i botoi një promemorie e vitit 1953 që pandehet se Trebeshina ia kishte nisur Enver Hoxhës, duke e paraqitur si disident. Hulumtimet kanë bërë të ditur se promemoriet janë dy dhe jo një, por asnjëra e vitit 1953 siç u divulgua. Botimi i saj solli reagime, deri aty sa e quajtën fabrikim për të dëmtuar imazhin e Kadaresë, duke u projektuar mediatikisht si dikotomi. Trebeshina vetë i cilësoi ismailkadaretë si sindromë, dhe sipas tij nëse “Dimri i madh” i jepej gjimnazistëve do të duhej t’u jepej edhe “Mein Kampf”. Por çfarë shkruan në promemorien e më 5 tetor 1953, në një akt disidencës së hapur në jetën intelektuale në Shqipëri, shkrimtari Kasem Trebeshina, një ish-Komunist i përkushtuar, i larguar nga radhët e partisë, i dërgon Enver Hoxhës një Promemorie, duke i kujtuar se politikat e tij kulturore po e çonin vendin drejt shkatërrimit. Duket se Përkujtesa e zemëroi Hoxhën dhe shkrimtari disident u dënua me 17 vjet burgim politik dhe u zhduk nga skena e jetës letrare, për të dalë përsëri pas vitit 1990, me shembjen e diktaturës.

“Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin në një shoqëri socialiste. Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuar nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar ideologjikisht dhe politikisht nga ju, në mënyrë që nuk mund të pranohet që është socialiste. Kështu sa më sipër, del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë.

Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik në lidhje me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji, që nuk mund të diskutohet; kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në formën e diçkaje absolute pikëpamjen tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrë të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara, që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë, ashtu edhe për ju personalisht, vendosa që ta shkruaj këtë “promemorje” dhe ta nis pa humbur kohë. Tashti le të shikojmë veças secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej këtij realiteti të ndërtuar në mënyrë të tillë” shkruan Trebeshina në promemorie.

Sulmi

Kasem Trebeshina në promemorien drejtuar Enverit kritikonte po ashtu si Shuteriqin ashtu edhe Agollin, duke qenë i mendimit se “Letërsia e shërbesës nuk është letërsi.” “Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh. A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë “funksione” dhe “privilegje”. Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë këtyre viteve. Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë mendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që “Halili dhe Hajrija” e Kolë Jakovës është një vepër e madhe!… Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si… Më mirë le ta lëmë këtë pikë!… Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një censure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë censurë, atëherë ajo të krijohet si një institucion dhe t’i ushtrojë hapur funksionet e saj. Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimtarë, për mua ose për ndonjë tjetër, këtu del në shesh fakti se, pa u kuptuar, po ndërtoni një letërsi mesjetare, me koncepte mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë.

Prandaj ka ardhur koha të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet një herë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind në një dhe nga një strukturë e caktuar, nga vetë forma e paraqitjes merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të ketë vdekur struktura që e lindi!…”,-shkruan Trebeshina. Ai i kujton Enverit se “Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t’ju jap më poshtë një, shembull që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë”. “Dihet se romani im “Rinia e kohës sonë” është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër “Mbarimi i një mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani “Harbutët” i Sterjo Spasses është shkruar që më 1946!… Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që të shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë “Çlirimtarët”?…

Pse Partia ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për ta trumbetuar si romanin e parë në gjuhën shqipe?… Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të letërsisë shqipe. Dhe dihet se në Shqipëri janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane… Edhe në gjuhën shqipe!… A është e denjë që të merrej një parti e tërë në-përmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla? Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni. Duhet t’i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin e njëzetë, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të shtrenjta”.

Dënimi

Më 1954, Trebeshina për: “qëndrim nihilist kundrejt letërsisë së realizmit socialist”, së bashku me Mark Ndojën dhe Myftiun u përjashtuan më 24 shkurt 1954 nga Lidhja e Shkrimtarëve. Po atë vit ai u dënua me 3 vjet burgim. Më 1954 Trebeshina dënohet me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë, arsye për të cilën në revistën “Nëntori” të atij viti shkruhej: “Partia jonë zbuloi dhe demaskoi pikëpamjet antipatriotike në letërsi të Kasëm Trebeshinës me shokë, të cilët mohonin në mënyrë të hapët realizimet dhe sukseset e letërsisë sonë të re, fetishizonin të kaluarën, shtrembëronin vlerat edukuese të klasikëve, nënçmonin rëndësinë revolucionare të realizmit socialist dhe të letërsisë sovjetike dhe përpiqeshin në këtë mënyrë të godisnin fuqinë krijuese të popullit tonë, mundësitë dhe besimin e tij në ndërtimin e të sotmes heroike dhe të së ardhmes së lumtur. Këto pikëpamje janë shprehur edhe në veprat e tyre, disa prej të cilave janë të ngjeshura me frymë kozmopolitizmi, subjektivizmi të theksuar, megalomanie dhe narcizizmi.”

Dosja

Paragrafi i parafundit në dosjen e tij: I pandehuri Kasëm Trebeshina ka shkruar një seri veprash, në shumicën e tyre, gjërat janë parë me pesimizëm, nihilizëm, jashtë realitetit dhe kundër frymës së partisë, kundër realizmit socialist. Kreu vetëm 11 muaj burgim dhe u lirua më 1955. Tezes së tij, nënës së Fiqrete Shehut, i kishte premtuar Enver Hoxha se do t’ia amnistonin nipin. Iu ofruan disa punë që nuk kishin lidhje me artin, por nuk pranoi. Më vonë filloi punë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, atëherë tek Rruga e Elbasanit; punonte në një gazetë, ku kushti i parë ishte që të mos merrte pjesë në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale, si edhe në informacionet politike. Kësodore mund të merrte pjesë vetëm në mbledhjet e drejtorisë për organizimin e punës.

Më pas hoqi dorë nga anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe nga pjesëmarrje të tjera në jetën shoqërore. Porsa iu hap mundësia që t’ia botonin veprën “Artani dhe Minja”, prej këmbënguljes që t’ia botonin pa recensë dhe përshkrimit të “të pasurve të fshatit”, anëtarët e Lidhjes i ngritën akuzën si deviator dhe firmosën që t’ia çonin emrin në Komisionin e dëbim-internimeve. Më 18 maj 1962 u arrestua dhe dënua me 5 vjet internim të izoluar, që mbaronte më 18 maj 1967. Nga kampi i Zvërnecit, gushtin e 1963 e shtrojnë me forcë në psikiatrinë e Vlorës dhe pas disa letra Byrosë Politike, ia shndërruan dënimin në gjysmëinternim si mësues në Gramsh, ku dha letërsi në shkollën 11 vjeçare. Më 24 mars 1965 i ndërpritet dënimi për arsye shëndetësore. Qershorin e atij viti, Mehmet Shehu dënoi në mbledhjen e Pleniumit të XV të Komitetit Qendror romanin “Shkrimtari” të Myftiut ku sipas kryeministrit të kohës “heroi nuk është tjetër veçse Kasëm Trebeshina, shok i ngushtë mendimi i autorit, element antiparti i vendosur kundër pushtetit popullor, antisocialist…”. Nisi punë në Bibliotekë Kombëtare, ndërsa më 1969 nis punë si përkthyes dhe më 1976 e zbresin në rangun e korrektorit.

Vendimi

Në vendimin e Gjykatës së Lartë në prill të 1981, për dënimin tij merren parasysh “ekspertiza” e veprave të tij në dorëshkrim (rreth 120), të cilat i morën gjatë arrestimit në shtëpinë e tij, këto recensa shkruajnë që dorëshkrimet “pasqyrojnë rryma të ndryshme ultrareaksionare që karakterizojnë letërsinë dhe artin dekadent” në to u “gjenden pikëpamje armiqësore” Pas rënies së komunizmit u proklamua si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Në një intervistë, përkthyesit e tij në anglisht dhe gjermanisht kanë përmendur se Trebeshina ka qenë 17 vjet në burg. Trebeshina vetë në një intervistë ka pohuar se ka bërë trembëdhjetë vjet burg. Ndërroi jetë në Ankara, pranë së bijës, më 6 nëntor 2017.

Krijimitaria

Nga veprat e shumta të Trebeshinës, në kohën e regjimit u botuan “Artani dhe Minja” ose “Hijet e fundit të maleve”, një përkthim anonim i pjesëve teatrore të Lorkës, një sërë poezish të tij të botuara në gazetën “Letrari i ri” si dhe një sërë dramash “Heronjtë” në ’52 dhe “Shtrojnë malet” në ’53. Gjatë vitit 1953, në “Letërsia jonë”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në numrin 3, 5, 6, etj., u botuan nga Trebeshina, një sërë poezish, dhe në nr. 10 u botua një dramë me 5 akte, “Kruja e çliruar”. Botimet e krijimeve të tij në periodikët kryesorë letrarë të kohës, (prozë dhe poezi), tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar prodhimtar që ka nisur të njihet në radhët e shkrimtarëve dhe lexuesve.

Tri prej pjesëve të tij prozaike u redaktuan nga Ardian Klosi në vëllimin “Stina e stinëve”, botuar në Prishtinë më 1991 kur dhe nisën t’i botoheshin pjesa më e madhe e veprave. Botuesi i tij, Abdullah Zeneli ka deklaruar se ka qenë Martin Camaj që e ka mundësuar kontaktin mes shkrimtarit dhe botuesit. Më 1992 do të botohej e “Legjenda e asaj që iku në Tiranë”. Trebeshina ka shkruar edhe romanin epope me 5 vëllime “Kënga shqiptare”. Vëllimi i I-rë i romanit, sipas shënimeve të shkrimtarit, përfundoi në vitin 1951, ndërsa i fundit më 1966. Sipas studiueses Mullahi, duke u kthyer pas në kohë dhe duke analizuar zhvillimin letrar të kësaj periudhe, bindemi plotësisht se vepra është shkruar në ato dhjetëvjeçar, sepse mban brenda vetes prirjen letrare të saj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së tij është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Përkthyesi i Trebeshinës në gjermanisht, Hans Joachim Lanksch e sheh si një shkrimtar të papërkrahur dhe gjerësisht të panjohur, ndërkohë që lexues të veprës së tij në gjermanisht kanë parë afri me Eugène Ionesco.

Tregimi Pse nuk u bë qytet fshati ynë nga viti 1994 është i përfshirë në antologjinë “Maja e çelur”, tekst për shkollat e mesme, hartuar nga Gjergj Zheji (fq. 187-191). Më 2005 fitoi çmimin “Buzuku” në Kosovë me romanin “Tregtari i skeleteve”. Pas viteve ’90, filloj dhe botimi e vënia në skenë e dramave të Trebeshinës. Dramaturgjia e Trebeshinës, duke u nisur nga struktura formale dhe tematike, shfaq elementë të qartë ngjashmërie me dramën e absurdit dhe paradoksit zhvilluar në Evropë veçanërisht në vitet 50-60 të shekullit XX me përfaqësues Beketin, Joneskon, Pirandelon, por që nuk njiheshin në Shqipëri gjer vonë. Është një nga themeluesit e dramës moderne shqiptare, duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, por edhe krahasuar me përfaqësuesit kryesorë të dramës moderne botërore. Ndonëse mbetet akoma i parealizuar amaneti i shkrimtarit, botimi i plotë i dorëshkrimeve të tij, numri i madh i veprave kanë peshën e tyre në traditën e letrave shqipe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot