Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut dhe ceremonive zyrtare mortore, përfshirë periudhën tradicionale të zisë nëntëditore (Novendia), Kisha Katolike pritet të zhvillojë konklavin për zgjedhjen e papës së ri.
Konklavi do të zhvillohet në Kapelën Sistine në Vatikan, ku 138 kardinalë nga 252 gjithsej – të gjithë nën moshën 80 vjeç – do të marrin pjesë në votimin e fshehtë për të zgjedhur udhëheqësin e ri të Selisë së Shenjtë, shkruar Euronews.
Procesi i votimit do të përfshijë katër raunde çdo ditë deri në arritjen e një shumice prej dy të tretash. Ndërsa konklavet zakonisht zgjasin 15 deri në 20 ditë, historia ka treguar se ato mund të mbarojnë në një ditë, si në vitin 1939, ose të zgjasin me vite – si konklavi i vitit 1268 që zgjati plot nëntë vjet.
Kandidatët potencialë për të zënë fronin papnor
Pas një papati reformues dhe shpeshherë sfidues nga ana e Papa Françeskut, vëmendja tani është përqendruar te emrat më të mundshëm që mund ta pasojnë atë:
Kardinali Pietro Parolin (70 vjeç, Itali) – Sekretari i Shtetit në Vatikan dhe një diplomat me përvojë i afërt me Françeskun. Shihet si një vijues i linjës së moderuar dhe reformuese, por me një qasje më të kujdesshme.
Kardinali Luis Antonio Tagle (67 vjeç, Filipine) – Kandidat serioz për të qenë Papa i parë aziatik. I dashur për të rinjtë dhe i afërt me komunitetet më të varfra, Tagle ka mbështetjen e shumë vendeve në zhvillim.
Kardinali Peter Erdo (72 vjeç, Hungari) – Një figurë e respektuar në Europë, me lidhje të forta si me Evropën ashtu edhe me Afrikën.
Kardinali Robert Prevost (69 vjeç, SHBA/Peru) – Me përvojë në Amerikën Latine dhe tani udhëheqës i dikasterit të ipeshkvijve në Vatikan, Prevost mund të jetë kandidati surprizë nga SHBA.
Kardinali Reinhard Marx (71 vjeç, Gjermani) – Një reformist i zëshëm në Gjermani, por që has kundërshti nga krahët konservatorë të Kishës.
Kardinali Robert Sarah (79 vjeç, Guinea) – I dashur nga konservatorët, Sarah do të ishte Papa i parë afrikan, me theks të fortë në ruajtjen e traditës dhe liturgjisë.
Kardinali Marc Ouellet (80 vjeç, Kanada) dhe Kardinali Christoph Schoenborn (80 vjeç, Austri) – Të dy në kufirin e moshës për votim, kanë përvojë të madhe në Vatikan dhe ndikim të thellë, megjithëse më pak gjasa për t’u zgjedhur për shkak të moshës së tyre.
A do të zgjidhet një Papa nga kontinentet në zhvillim?
Pas tre papëve të huaj radhazi – Gjon Pali II (Poloni), Benedikti XVI (Gjermani) dhe Françesku (Argjentinë) – pyetja që ngrihet është: A do të vijë tani radha për një Papë nga Azia apo Afrika?
Ndërsa bota e krishterë pret me emocion rezultatin e konklavit, një gjë është e qartë: zgjedhja e papës së ri do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e Kishës Katolike, por edhe qasjen e saj ndaj sfidave globale moderne.