Filmat e bërë me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të mund të fitojnë çmime të larta në Oscar, sipas organizatorëve të tij.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit lëshoi rregulla të reja të hënën që thonë se përdorimi i AI dhe mjeteve të tjera digjitale "nuk do të ndihmojë dhe as do të dëmtojë mundësinë e arritjes së një nominimi”.
AI gjeneruese - e cila mund të krijojë tekst, imazhe, audio dhe video në përgjigje të kërkesave të thjeshta tekstuale - ndihmoi në prodhimin e disa filmeve që fituan çmime të mëdha në industrinë e filmit në mars.
Por Akademia tha se do të marrë parasysh ende përfshirjen e njeriut kur të zgjedhë fituesit e saj, lajmëron BBC News, transmeton KosovaPress. Akademia tha se gjuha e saj e re në lidhje me pranueshmërinë e filmave të bërë me mjete AI gjeneruese ishte e rekomanduar nga Këshilli i Shkencës dhe Teknologjisë.
Në kuadër të ndryshimeve të tjera të rregullave të shpallura të hënën, anëtarët e Akademisë tani duhet të shohin të gjithë filmat e nominuar në secilën kategori për të marrë pjesë në raundin përfundimtar të votimit, i cili vendos fituesit.
Përdorimi i AI në filma u bë një temë e nxehtë pasi Adrian Brody fitoi çmimin për Aktorin më të Mirë për rolin e tij në "The Brutalist" gjatë ceremonisë së Oscarit të këtij viti në mars.
Filmi përdori AI gjeneruese për të përmirësuar theksin e aktorit kur ai fliste hungarisht, shkruan BBC News/
Më pas doli se teknologji e ngjashme e klonimit të zërit ishte përdorur për të përmirësuar zërat e këngëve në muzikalin fitues të Oscarit "Emilia Perez".
Aftësia e teknologjisë për të ndryshuar ose përshtatur shpejt tonin dhe stilin e një artisti, ose për të kryer redaktime si ndryshimi i dukshëm i pamjes së dikujt, ka ndihmuar që ajo të bëhet më e popullarizuar në prodhimin e muzikës dhe filmit.
Por përdorimi i AI mbetet i kontestuar, dhe artistët dhe aktorët kanë shprehur shqetësime për materialet që përdoren për të trajnuar këto mjete dhe ndikimin e tyre mbi jetesën e tyre.