Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se
në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me
Narkotikë – Gjakovë, pas një hetimi disa mujor duke zbatuar masat e veçanta
hetimore, sot me datë 23.04.2025 kanë zhvilluar një aksion në Prizren, ku është
zbuluar një laborator droge dhe janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Të pandehurit, nga data e pa vërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2025,
në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa”
(Mariuhanë), me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, në
atë mënyrë që në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm “In door”,
ku kanë kultivuar dhe kanë rritur rreth 200 bimë “Kanabis Sativa”, kanë bërë tharjen
e tyre, dhe i kanë përgatitur për shitje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje
kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose
bimëve të kanabisit” nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së.
Po ashtu, të njëjtit, pa autorizim dhe në bashkëpunim, me qëllim të shitjes apo
shpërndarjes, kultivojnë bimën “Kanabis Sativa” me qëllim të ofrimit për shitje, e cila
me ligj është shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që të pandehurit pasi sigurojnë
narkotikun nga kultivimi që i bëjnë vet bimës, planifikojnë shitjen e narkotikëve
personave të ndryshëm në tërë Republikën e Kosovës. Me këto veprime në
bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni
267 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së.
Gjatë këtij aksioni, është kontrolluar objekti, me ç’rast Prokurori i Shtetit, përveç
bimëve “Kanabis Sativa” dhe materialeve tjera përcjellëse që kanë shërbyer për
kultivimin e narkotikëve, ka sekuestruar edhe objektin banesor që ka shërbyer për
kultivimin e narkotikëve.
Tre të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda
afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Krimeve të Rënda, do të parashtroj kërkesë
për caktim të masës së paraburgimit./Gazeta e Prizrenit