Herët në mëngjesin e sotëm, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, mori pjesë në një mbledhje të Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore dhe Emergjencave (AFAD) në Stamboll, ku u diskutuan masat që duhen marrë pas tërmetit të djeshëm me magnitudë 6.2 ballë që goditi zonën përballë Silivrisë, në Detin e Marmaras, si dhe parashikimet shqetësuese për një tërmet edhe më të fuqishëm, deri në 7.5 ballë të shkallës Rihter.
Pas mbledhjes, presidenti Erdogan deklaroi se janë vlerësuar masat që po merren për të minimizuar pasojat e tërmetit. “Falë Zotit, nuk kemi humbje jete. Si shtet, jemi në gatishmëri 24 orë në ditë,” theksoi ai.
Më pas, Erdogan u takua me qytetarë në një kafene në lagjen Kağıthane, në qendër të Stambollit, ku bisedoi me ta dhe piu çaj mëngjesi.
Vlen të theksohet se në këtë mbledhje nuk u ftuan përfaqësues të Bashkisë së Stambollit, kryebashkiaku i së cilës dhe kundërshtari politik i Erdogan, Ekrem Imamoglu, ndodhet aktualisht në burg.
284 pasgoditje brenda më pak se 24 orëve
Ndërkohë, pasgoditjet nga tërmeti i fuqishëm i djeshëm me magnitudë 6.2 ballë, që ndodhi në orën 12:49 pasdite, vazhdojnë ende.
Deri tani janë regjistruar të paktën 284 pasgoditje. Pasgoditja më e fundit me intensitet të lartë ndodhi sot në orën 7:19 të mëngjesit me magnitudë 4.1 ballë, sipas AFAD. Observatori Kandilli e raportoi atë me magnitudë 4.6 ballë. Pasgoditja më e madhe deri tani kishte ndodhur dje në orën 12:51 me magnitudë 5.9 ballë.
Shumë banorë, veçanërisht në lagjet perëndimore të Stambollit – Avcılar, Esenyurt, Yeni Bosna, Bahçelievler, Beylikdüzü – kaluan natën në çadra apo në makina në hapësira të hapura dhe parqe. Megjithatë, shumica e banorëve të Stambollit e kaluan natën nëpër shtëpitë e tyre.