Qytetarët e Republikës së Kosovës tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi për një periudhë që nuk tejkalon 30 ditë. Ky informacion është bërë i ditur nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, përmes një postimi në Facebook.
Gërvalla ka theksuar se ky vendim është një arritje e rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve bilaterale me Malajzinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm që tregon avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Ne mirëpresim këtë zhvillim dhe falënderojmë institucionet malajziane për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme,” ka shkruar Gërvalla