Interi nuk arriti ta mposhtte Milanin as në derbin e pestë dhe të fundit sezonal, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në “San Siro”.
Në finalen e Kupës së Italisë shkoi “Djalli”, që i shkatërroi zikaltrit 3-0 në gjysmëfinalen e kthimit. Ish-sulmuesi i Milanit, Alessandro Matri, komentoi humbjen e skuadrës së Inzaghit për mikrofonët e “Mediaset”, duke u përqendruar veçanërisht te reparti ofensiv i Interit. Këto janë deklaratat e tij:
“Interi varet nga Lautaro dhe Thuram.
Po kështu, mungesa e Calhanoglu ndikon shumë. Pritshmëritë për Taremin ishin të larta, kishte treguar vlerat e një lojtari të rëndësishëm. E shoh të ngathët në lëvizje, shihet qartë se është në vështirësi tek Interi.
Edhe Arnautoviq ka pasur probleme”.
Ja fjalët e Simone Inzaghit në konferencë, pas eliminimit nga Kupa e Italisë: “Fundi i sezonit duhet menaxhuar me besim dhe analizë. Na vjen keq për ndeshjen, por ky është futbolli. Nuk duhej të përfundonte pjesa e parë me humbjen 1-0, nuk duhej ta pësonim atë gol.
Ishte hera e parë që Milani hynte në zonën tonë. Kuqezinjtë ishin të zotë, gjithsesi. Goli i dytë i Milanit ishte me fat. Në të parin duhej të bënim shumë më mirë, në të dytin ishim të pafat. Në pjesën e dytë ishim pak të çorganizuar. Komplimente Milanit, që ishte më i mirë se ne dhe e deshi më shumë finalen”.