"Po hamë hithëra", varfëri dhe kushte të rënda jetese në lagjen e romëve në Graçanicë

- Bota Sot

"Po hamë hithëra", varfëri dhe kushte të rënda jetese në lagjen e romëve në Graçanicë

Banorët e lagjes së romëve në Graçanicë po përballen me kushte të rënda jetese, derisa e drejta për arsimim për fëmijët është bërë një sfidë e përditshme.

Ekipi i KosovaPress, ka vizituar këtë lagje dhe ka pyetur disa nga banorët për kushtet e tyre.

Të njëjtit kanë dashur të mbesin anonim dhe të mos prononcohen për KosovaPress.

Mbrapa kamerave, një grua, nënë e katër fëmijëve, ka përshkruar situatën dramatike në të cilën ndodhet familja e saj, e cila ka thënë se nuk po e ka mundësinë për t’i dërguar fëmijët në shkolla shkaku i kushteve të rënda.

Një banor tjetër i kësaj lagjeje ka thënë se kushtet e rënda infrastrukturore të lagjes, po ia vështirëson fëmijëve të kalojnë rrugëve të lagjes për të shkuar në shkollë.

Një tjetër banor, duke komentuar për mungesën e reagimit institucional, ka thënë se në këtë lagje mbi 50 shtëpi kanë nevojë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.

Nga ana tjetër, një grua ka ngritur një problem edhe më thelbësor, mungesën e ushqimit. E njëjta është shprehur mbrapa kamerave se nga uria po hanë hithra, e sa për t’i dërguar fëmijët në shkollë për familjen e saj as që bëhet fjalë.

Në këtë realitet të rëndë, banorët e lagjes së romëve në Graçanicë, kërkojnë veprim urgjent nga institucionet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të garantuar të drejtën bazë të fëmijëve për arsimim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot