Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, gjatë zhvillimit të hetimeve rreth një rasti, kanë siguruar prova të besueshme se zyrtarë të KRU ‘Hidromorava’ në Gjilan kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Dyshohet se anëtarë të komisionit të kësaj kompanie, të caktuar për zhvillimin e procedurave të dy konkurseve për punësim, i kanë dhënë pyetjet-përgjigjet e testit me shkrim, duke e favorizuar njërin prej kandidatëve i cili të nesërmen do t’i nënshtrohej këtij testi me shkrim.
Sot, në zyrat e NJHRKEK-Gjilan, janë intervistuar anëtaret e komisionit në cilësinë e të dyshuarve, në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare.
Gjatë intervistave është kuptuar se i dyshuari V.M., (viti i lindjes 1984, mashkull kosovar), ia kishte dhëne pyetjet e testit me shkrim paraprakisht një kandidati.
Me këto veprime është krijuar dyshim i bazuar se i dyshuari V.M., (anëtar i komisionit) ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtare”.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.