Në një analizë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello ka komentuar përballjen mes Barcelonës dhe Interit në gjysmëfinalen e Champions League, duke u ndalur te kontrasti mes gjendjes së dy skuadrave: “Sonte në fushë zbret një skuadër e freskët, euforike, që mendon për tripletën. Fatkeqësisht kjo skuadër nuk është Interi…”
Sipas tij, skuadra e Inzaghit vjen e lodhur, e demoralizuar dhe në krizë rezultatesh, por Capello sheh pikërisht në këtë ndeshje mundësinë për ringritje: “Kjo duhet të jetë ndeshja e ‘ringjalljes’ së Interit, i cili mund t’i bëjë keq kundërshtarit me kundërsulme të shpejta, nëse arrin ta kalojë presionin e parë të katalanasve”.
Ai e vlerëson ecurinë e zikaltërve në Champions si “thuajse perfekte” dhe thotë se ky kompeticion është “habitati i tyre”, me një mesfushë dinamike që di të qarkullojë topin me shpejtësi: “Barella, Çalhanoglu dhe Mkhitaryan duhet ta marrin skuadrën mbi supe…”
Capello lavdëron gjithashtu transformimin që Hansi Flick i ka bërë Barcelonës, nga pasimet e pafundme në një lojë të shpejtë, agresive dhe vertikale, por paralajmëron se kjo mënyrë loje lë hapësira: “Këtu duhet të godasë Interi, kam besim që Inzaghi i ka përgatitur të tijtë për diçka të tillë”.
Për të pasur sukses, Capello nënvizon se duhet një Inter që vrapon, me “motorët” në maksimum dhe gati për një natë sakrifice ekstreme. Ai përfundon me një mesazh paralajmërues për Barcelonën: “Euforia pas fitores me Realin në Kupë mund të jetë thikë me dy presa. Në Barcelonë, vetëbesimi i tepërt mund të të dëmtojë”.