Të shtunën në orën 20:45, Interi do të presë Veronën në “San Siro”, në kuadër të javës së 35-të të Serie A. Pas humbjes së kreut të renditjes javën e kaluar dhe në prag të sfidës vendimtare kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve, trajneri Simone Inzaghi ka vendosur të bëjë ndryshime të shumta në formacionin titullar.
Barazimi spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë ndaj katalanasve e ka lënë gjithçka të hapur për takimin e së martës, ndaj tekniku zikaltër pritet të aktivizojë një formacion me plot nëntë ndryshime për të ruajtur energjitë e titullarëve.
Vetëm portieri Yann Sommer dhe mbrojtësi Bisseck do të mbeten në formacion nga sfida e Champions-it. Në mbrojtje, krahas Bisseck priten De Vrij dhe Carlos Augusto, ndërsa mesfusha do të përbëhet nga Darmian, Frattesi, Asllani, Mkhitaryan dhe Zaleëski. Lajm i mirë për shqiptarët është aktivizimi nga minuta e parë i Kristjan Asllanit, që do të ketë një rol kyç në qendër të fushës.
Në repartin ofensiv, mungesat e dyshes titullare Lautaro–Thuram do të kompensohen nga Marko Arnautovic dhe Joaquin Correa, të cilët do të udhëheqin sulmin në këtë ndeshje.
Ky rotacion masiv është pjesë e strategjisë së Inzaghit për të ruajtur grupin në maksimumin fizik për ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës – një sfidë që mund të vendosë fatin e sezonit europian për zikaltërit.