Në ritmin aktual, Rusisë do t’i duhen shekuj dhe dhjetëra miliona viktima për të pushtuar Ukrainën

- Bota Sot

Në ritmin aktual, Rusisë do t’i duhen shekuj dhe dhjetëra miliona viktima për të pushtuar Ukrainën

Me ritmin aktual të avancimit të Forcave të Armatosura Ruse në territorin ukrainas, pushtimi i plotë i vendit duket të jetë një objektiv tepër i largët në kohë.

Sipas një vlerësimi ironik, por domethënës të publikuar nga Forbes, Rusia do të mund të përfundonte një pushtim të tillë vetëm deri në vitin 2256, nëse e ruan të njëjtën dinamikë që ka treguar deri më tani.

Ky përfundim vjen nga analizat e analistit ushtarak të Forbes, David Axe, i cili thekson jo vetëm ritmin e ngadaltë dhe me kosto të lartë të operacioneve ruse, por edhe pasojat potencialisht katastrofike për popullsinë dhe ushtrinë e këtij vendi.

Sipas llogaritjeve të tij, një fushatë ushtarake me një shtrirje dhe kohëzgjatje të tillë mund t’i kushtojë Rusisë mbi 100 milionë jetë njerëzish – shifër tronditëse që nënvizon jo vetëm pamundësinë logjistike dhe njerëzore të këtij objektivi, por edhe absurditetin e vazhdimit të një lufte me kosto kaq të lartë.

Ky raport shërben si një kritikë e ashpër ndaj strategjisë ushtarake të Moskës dhe një paralajmërim për pasoja afatgjata, si për Rusinë, ashtu edhe për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot