Një pritje e gjatë… Milani nuk ka më shumë për të kërkuar nga ky kampionat. “Djalli” ndodhet në vendin e 9-të, i shkëputur nga grupi që lufton për një vend në Kupat Europiane sezonin e ardhshëm.
Rikuperimi në Serie A duket i vështirë, jo aq për shkak të pikëve se sa për numrin e skuadrave që ndodhen përpara kuqezinjve.
Prandaj, finalja e Kupës së Italisë më 14 maj kundër Bologna merr një rëndësi të dyfishtë dhe thelbësore: nga njëra anë, dëshira për të rikthyer një trofe që mungon prej 22 vitesh në vitrinën kuqezi, nga ana tjetër, fitorja do të siguronte një vend në “Europa League” për sezonin e ardhshëm.
Për më tepër, për shumëkënd, fitimi i kupës kombëtare, pas Superkupës së Italisë, do të ishte mënyra e duhur për të shpëtuar një sezon të zymtë.
Për këtë arsye, Sergio Conceiçao po përgatit me detaje formacionin që do të përdorë në dy ndeshjet e kampionatit, që e ndajnë Milanin nga finalja e Romës: Sfida e së hënës mbrëma në “Marassi” kundër Genoa dhe ajo e së premtes, më 9 maj, në “San Siro”, sërish kundër Bologna, një lloj “provë gjenerale” për finalen e Kupës së Italisë.
Trajneri portugez, përveç ndonjë surprize të madhe, pritet të largohet nga kuqezinjtë në fund të sezonit, pas vetëm 6 muajsh. Të larguarit me dy trofe të fituar do ta bënte largimin më pak të hidhur, madje mund t’i hapte dyer të reja në të ardhmen.
Sipas “Corriere dello Sport”, Conceiçao ka planifikuar rotacion të thellë në këto dy ndeshje, që e çojnë drejt finales së Romës. Ndaj Genoa do të luajë formacioni më i fortë, ndërsa ndaj Bologna në kampionat do të ketë më shumë hapësirë për lojtarët rezervë, me qëllim që më 14 maj të ketë në dispozicion skuadrën më të përgatitur të mundshme për finalen e Kupës.
Nëse do të jetë një lamtumirë, të paktën le të jetë lamtumirë e ëmbël. Me një Superkupë Italie dhe kupën kombëtare të fituar, edhe lamtumira do të ishte më e ëmbël për trajnerin luzitan.