Pas njoftimit të kreut të qeverisë së re gjermane se do të zbatojë sistematikisht një politikë strikte migracioni që nga dita e parë, e cila përfshin mbylljen e kufijve për migrantët ilegalë, kancelari austriak Christian Stocker paralajmëroi domosdoshmërinë e koordinimit me autoritetet austriake.
“Shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje për kufijtë e brendshëm të Bashkimit Evropian që do të jetë në frymën e partneritetit dhe që do të bazohet në ligjet ekzistuese”, tha kancelari i ri austriak Christian Stocker për gazetën Welt am Sonntag, raporton KosovaPress.
Ai reagoi ndaj njoftimeve të kancelarit të ardhshëm gjerman Friedrich Merz dhe shefit të stafit Thorsten Frei, se masat për të parandaluar hyrjen e parregulluar në Gjermani do të zbatoheshin "që nga dita e parë" e qeverisë së re, e cila do të betohet të martën e ardhshme.
Stocker njoftoi se Austria "nuk do të pranojë askënd" që do të kthehet nga kufiri austro-gjerman "jashtë procedurës së rregulluar me ligj".
Qeveria e re gjermane ka njoftuar se do të ndalojë hyrjen në Gjermani për të gjithë ata që vijnë për të aplikuar për azil dhe që kanë hyrë më parë në BE përmes një shteti tjetër anëtar. Njëkohësisht u theksua se përgatitja e këtyre masave po bëhet në marrëveshje me Austrinë, Poloninë dhe Francën.
Stocker nga Partia Popullore Austriake ÖVP, në përgjithësi mirëpriti njoftimin e qeverisë së re gjermane se do të luftonte më intensivisht migrimin e parregullt, por njëkohësisht vuri në dukje se nevojitet mbrojtje më e mirë e kufijve të jashtëm të BE-së. "Duhet të jetë një qëllim i përbashkët," tha Stocker.
Skepticizëm për planet e reja të qeverisë Merz është shprehur edhe Sindikata e Policisë (GdP), e cila pretendon se policia gjermane nuk ka personel të mjaftueshëm për të siguruar zbatimin e këtyre masave në kufi.
“Nëse kontrollet forcohen nga java e ardhshme, do të na duhet të dërgojmë qindra policë shtesë në kufij”, tha drejtori i GdP-së, Andreas Rosskopf.
Ai tha se duhet pasur kujdes që të mos neglizhohen detyrat e Policisë Federale në vende të tjera si aeroportet apo stacionet hekurudhore për shkak të detyrimeve të reja në kufi, të cilat në Gjermani nuk janë përgjegjësi e policisë lokale, por e policisë federale.
Kujtojmë, reduktimi i migracionit të parregullt është një nga premtimet kryesore të qeverisë Merz.