Ndërsa Moska përgatitet për Ditën e Fitores më 9 maj, dy politikanët e vetëm evropianë që pritej të merrnin pjesë – kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq – kanë anuluar papritur programet e tyre të fundit, duke nxitur spekulime të shumta.
Kështu, sipas mediave të huaja, gjatë fundjavës, filluan të qarkullonin postime në disa media që sugjeronin se Vuçiq dhe Fico mund të mos udhëtonin për në Rusi për festimet e 9 majit.
Portali rus 360 spekuloi, pa ofruar asnjë provë, nëse dy politikanët mund të jenë helmuar për t’i penguar të merrnin pjesë.
Një tjetër portal rus citoi një analist politik i cili gjithashtu sugjeroi se udhëheqësit mund të simulonin problemet e tyre shëndetësore për arsye strategjike.
Vuçiq u shtrua shkurtimisht në spital në Beograd të shtunën pasi thuhet se u sëmur gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, të cilën iu desh ta ndërpriste.
Ndërkohë, Fico bëri disa ndryshime të minutës së fundit në axhendën e tij zyrtare javën e kaluar, duke përfshirë anulimin e një udhëtimi të planifikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk u dhanë arsye për ndryshimet.
Megjithatë, të dielën, Fico mbajti një konferencë për shtyp dhe konfirmoi se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me planet e tij për të udhëtuar në Moskë.
Kur u pyet për shëndetin e tij nga gazetarët, Fico u përgjigj i irrituar, duke thënë: “Shëndeti im nuk është puna juaj”, megjithëse pranoi problemet e vazhdueshme që rrjedhin nga një atentat ndaj të cilit i mbijetoi në maj të vitit të kaluar.
Ai gjithashtu kritikoi komentet e fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili deklaroi se Ukraina nuk mund të garantonte sigurinë e asnjë politikani që merrte pjesë në festimet në Moskë, pasi kjo përgjegjësi i takon Rusisë.