Barcelona e Hansi Flikut do të kërkojë të sigurojë një finale historike në Ligën e Kampioneve kundër Interit, dhjetë vjet pasi e kishte arritur këtë për herë të fundit.
Është një mundësi e shkëlqyer dhe kalendari kapricioz e ka bërë të përkojë në një datë të favorshme për klubin blaugrana, nëse do të merremi me disa precedentë të paharrueshëm. Sepse shpesh në futboll besëtytnitë luajnë rolin e tyre dhge vështirë të anashkalohen. Data 6 maj na kthen pas në kohë, në dy momente magjike. Të dyja lidhen me Ligën e Kampioneve:
Çelsi-Barça në vitin 2009, ajo me “Iniestazon” dhe ndeshja Barça-Bajern e vitit 2015, ajo me dygolëshin legjendar të Lionel Mesit që shkatërroi ekipin e Guardiolës. Këta dy precedentë e kualifikuan Barcelonën për në finalet e dy prej titujve të saj të fundit të Ligës së Kampioneve.
INIESTA – Në vitin 2009, Barcelona mbërriti në ndeshjen e dytë të gjysmëfinaleve pas një barazimi 0-0 në ndeshjen e parë, në të cilën arbitrimi nga Volfgang Shtark ishte kritikuar ashpër për favorizim të ekipit anglez. Çelsi drejtohej nga Gus Hidink, por duke gjykuar nga ajo që u pa, ata me siguri mbanin gjurmën e Zhoze Murinjos si tatuazh përgjithmonë mbi ta. Analistët e anshëm tregojnë për gabimet e Ovrebos në favor të Barcelonës në ndeshjen e kthimit, por do t’i harrojnë ato të bëra anasjellas (për shembull, ai përjashtoi Abidalin për simulim të Anelkës, ndër të tjera) dhe do ta injorojnë me vrazhdësi ndihmën e dhënë ekipit anglez në ndeshjen e parë, duke përfshirë penalltitë e munguara për Tierri Henri dhe Andres Iniesta dhe një karton të dytë të verdhë për Balak që u fal.
Përtej debateve që kanë shoqëruar asokohe duelet mes Çelsit dhe Barcelonës në lidhje me arbitrimin, në takimin e 6 majit 2009, katalanasit nuk luajtën mirë në ndeshjen e dytë, por goli i 1-0 nga Andres Iniesta i dha biletën për në finalen e madhe në Romë. Më pas, Barça do të fitonte edhe finalen, duke mundur Junajtidin.
VEPRA E ARTIT E MESIT – Dygolëshi i Mesit kundër Bajernit të Mynihut më 6 maj 2015 ishte i paharrueshëm.
Dy kryevepra nga argjentinasi dhe një asist për Nejmarin, që erdhën në pjesën e fundit të ndeshjes dhe që hynë në histori, veçanërisht 2-0, me përdredhjen e belit të Boateng.
Prandaj, 6 maji meriton një vend nderi në historinë e Barcelonës, në kontrast me ditën pasardhëse, datën e humbjes kundër Steauas në finalen e vitit 1986 dhe turpërimin 0-4 ndaj Liverpulit në gjysmëfinalen e vitit 2019. Barça e Flik shpreson të vazhdojë serinë e saj.
Nga “Shit November” në një “Glorious May the Sixth”. Për më tepër, në dy rastet e mëparshme kur Barcelona arriti në finale më 6 maj, në fund të sezonit skuadra blaugrana arriti tripletën. Një ogur i mirë për të gjithë ata që besojnë te besëtytnitë.