Merino: Shkon Arsenali në finalen e Championsit

- Bota Sot

Merino: Shkon Arsenali në finalen e Championsit

Mesfushori i Arsenalit, Mikel Merino, shprehet me vetëbesim para ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve ndaj PSG-së.

Ai gjithashtu theksoi i bindur se skuadra e tij do të fitojë dhe do të kualifikohet në finale.“Topçinjtë” u mundën 1-0 në ndeshjen e parë në “Emirates”, më 29 prill. Osman Dembele kaloi PSG-në në avantazh në minutën e katërt me një goditje të shkëlqyer me të majtën. Të dyja skuadrat krijuan disa raste më pas, por nuk arritën të shënonin gola të tjerë. Mesfushori spanjoll, i cili me sulmin në emergjencë, është spostuar përpara nga Arteta, tha për “Metro”:

“Parisi është një vend i vështirë për të luajtur, por ne kemi treguar gjithmonë që mund të përballemi me këdo dhe me gjithë respektin për të gjithë, mendoj se do ta fitojmë ndeshjen e kthimit”.

Skuadra nga Londra Veriore e transferoi Merinon nga Real Sociedadi verën e kaluar dhe ai ka shkëlqyer në “Emirates” edhe në rolin e sulmuesit. Ai ka regjistruar tetë gola dhe pesë asiste në 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Arsenali pësoi një humbje 2-1 ndaj Bornmëthit në “Emirates” në ndeshjen e Premier Ligës të shtunën. Ndërkohë, një PSG me shumë ndryshime në formacion u mund gjithashtu 2-1 ndaj Strasburgut në transfertë, në Ligën e Parë. Legjenda e Mançester Junajtid, Geri Nevil, është gjithashtu optimist se Arsenali mund të përmbysë disavantazhin 1-0 ndaj PSG.

Pas humbjes ndaj Bornmëthit, ish-mbrojtësi tha për podkastin e tij: “Ajo që më shqetëson për Arsenalin është se luajtën me formacionin më të fortë dhe sërish humbën. Por sinqerisht mendoj se ata mund t’ia dalin.

Mendoj se mund të shkojnë në Paris dhe të fitojnë. Kam qenë atje një herë me Dejvid Bekhamin për të parë Realin e Madridit dhe pashë që PSG u bë nervoz. Ka shumë pritshmëri rreth fitores së Ligës së Kampioneve për ta.

Do të jetë një atmosferë e zjarrtë për 20 minutat e para dhe nëse ata shënojnë, do të vazhdojë kështu.

Por nëse pëson një gol, gjë që Arsenali patjetër mund ta bëjë, qoftë nga një goditje standarde, kundërsulm apo ndonjë veprim individual, atëherë mund të shohësh dhe të ndjesh ndryshimin e atmosferës në atë stadium”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot