Hafiz Ibrahim Dalliu, lindi më 1878 në një familje fetare, ku u edukua në frymën fetare të familjes dhe duke ndjekur këtë rrugë vendosi të studionte në Stamboll.
Gjatë studimeve, Ibrahimi në frymën islame u aktivizua për çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe aktivist shqiptar. Në këtë drejtim Dalliu, mendonte se funksionarët e Xhamisë dhe të gjithë besimtarët myslimanë kishin nevojë të menjëhershme për literaturë fetare në gjuhën shqipe, prandaj sapo u kthye në atdhe, mori përsipër detyrën e mësuesit në një nga shkollat e para të Tiranës (1901), së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin, me gjithë vështirësitë e shumta e pa u shkëputur nga detyra e imamit në faltoret e qytetit.
Më 1908 ai hapi shkollën e vajzave në Tiranë, ku u përgatitën mësueset e para vajza myslimane, si Servete Maçi etj. Gjatë studimeve të larta në Stamboll për hoxhë u njoh nga afër me veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1902 e gjejmë bashkëpunëtor me Filip Ashikun në hapjen e shkollave shqipe në Tiranë duke vazhduar deri në fund të vitit 1903, kur këto shkolla u mbyllën; edhe se u mbyllën shkollat legale, Hafizi vazhdoi të njëjtin aktivitet në mënyrë ilegale duke drejtuar kurse të gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas si kurset në familjen e Murat Toptanit për ta rifilluar përsëri këtë aktivitet në mënyrë legale në vitin 1908. Në vitin 1908 së bashku me patriotët Refik Toptani, Mahmut Fortuzi, Hysni Dalliu etj. themeloi në Tiranë klubin patriotik “Bashkimi”, si mjet për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat kombëtare. Ky Klub ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen dhe fuqizimin e lëvizjes patriotike për pavarësi kombëtare dhe në luftën për përhapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe.
Klubi “Bashkimi” u hap nën patronazhin e Klubit të Manastirit dhe kishte një aktivitet shumë të gjerë. Lidhur me veprimtarinë e Klubit “Bashkimi” dhe ndikimin që kjo veprimtari pati në ngjarjet patriotike të asaj periudhe, H. Dalliu më vonë do të shkruante: “Që prej asaj kohe është mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në Tiranë dhe ka zënë rrënjë në zemrat e tiranasve”. Po në këtë vit e gjejmë shumë aktiv në përgatitjen e Kongresit të Manastirit dhe zbatimin e vendimeve te tij. Ai ka theksuar në shkrimet e tij rëndësinë e këtij Kongresi në historinë e kombit tonë në luftën për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare duke e quajtur atë “Kongresi i alfabetit”.
Në frymën e Kongresit të Manastirit dhe për zbatimin e vendimeve të tij, u mendua të mblidhej një kongres kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimin dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë arsye në datat 2-9 shtator 1909 zhvilloi punimet Kongresi i Elbasanit në të cilin morën pjesë 35 delegatë si përfaqësues të gjithë shoqatave patriotike shqiptare brenda ose jashtë vendit. Këtu mori pjesë edhe një delegacion nga qyteti i Tiranës që kryesohej nga Refik Toptani, në të cilin merrte pjesë edhe Hafiz Dalliu. Kongresi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Manastirit, aprovoi alfabetin latin të gjuhës shqipe dhe vendosi hapjen e shkollës Normale në Elbasan për përgatitjen e kuadrove mësues që do të shërbenin për mësimin e gjuhës në gjithë trevat e banuara nga shqiptarët. Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, më 2 dhjetor 1909 u hap shkolla Normale në Elbasan, me drejtor Luigj Gurakuqin dhe në trupin mësimor pedagogjik, përkrah Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Peçit etj. ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Çështje kombëtare
Në vitet 1910 e gjejmë të angazhuar me armë në dorë në çetën atdhetare që drejtohej nga Abdi bej Toptani, e cila kreu veprime luftarake në Krujë e rrethinat e saj. Më 26 nëntor 1912 është pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë. Hafiz Dalliu, pas ceremonisë së shpalljes së Pavarësisë në Tiranë, është autori kryesor i përgatitjes së një Letër-Proteste dërguar forcave ushtarake serbe që ndodheshin në zonën verilindore të Shqipërisë dhe përgatiteshin të mësynin Tiranën duke i vënë në dijeni se Tirana kishte shpallur pavarësinë dhe ishte e gatshme ta mbronte me çdo çmim.
Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjës dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës. Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Zog është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame duke bërë komente, duke përkthyer, zbërthyer e interpretuar libra të shenjtë si Kur’ani si dhe vepra të personaliteteve të shquara islame. Po ashtu ka bërë edhe studime në fushën e islamit që përbëjnë kontribut të tij personal në këtë fushë.
Pas luftës
Pas lufte e gjejmë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike ku e futi artin dhe letërsinë diktatura komuniste. Iu kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74 vjeçare. Hafiz Dalliu me shkrimet e tij u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur.
Të flasësh për Hafiz Dalliun nuk është asnjëherë e tepërt, porse për të njohur më mirë këtë figurë madhore islame, këtë luftëtar trim të shqiptarizmës, këtë poet gojëmjaltë të vargut shqip, gjithsecili në mënyrën e vet do të arrijë vetëm duke njohur shkrimet e këtij mësuesi veteran. Për këtë qëllim po sjellim fare shkurt subjektet e disa prej veprave të tij fetare e letraro-patriotike:
1. “Libri i së Falmes”, tregon rregullat kryesore të të gjitha namazeve ditore e periodike, dispozitat kuranore në lidhje me këtë shtyllë të Islamit. Aty janë përfshirë pjesët kuranore që mund të shërbejnë gjatë faljeve dhe lutjet e rastit në arabisht e të transkriptuara dhe të përkthyera në gjuhën tonë. Hafiz Dalliu i vinte rëndësi të madhe faljes (namazit), ashtu siç e ka vlerësuar Allahu xh.sh. në Kuran. Libri është shpërndarë falas; ai ka ndihmuar për shumë kohë besimtarët myslimanë që të falen, të kryejnë këtë detyrë, të obliguar për çdo individ.
2. “Dhanti e Ramazanit”, përmban rregullat e agjërimit, si e kur lejohet që të mos agjërohet, kur ndërpritet agjërimi dhe si konsiderohet agjërimi i prishur etj. Autori ka parashtruar në këtë libër edhe dobitë fiziologjike, rëndësinë e edukimit moral nëpërmjet agjërimit dhe vlerën shoqërore të tij.
3. Ilahija “Një lutje shpirtit të madhnueshëm të Resulull-llahit”, botuar shumë herët, është hymn fetar i frymëzuar për dashurinë që ka myslimani për Profetin e tij dhe për Islamin. Ideja se feja myslimane është shtrirë në të tërë rruzullin tokësor jepet me art nëpërmjet perifrazës së bukur: “…N’rruzull t’dheutanëembanë/ Në çdo çast thirret ezan,/ Ty Resulull-llah të thanë./ ndoresh ja Resulull-llah…”. Në hapësirat e veprimtarisë letrare H.I. Dalliu ka shpalosur talentin poetik dhe shpirtin patriotik të paepur.
4. Te libri “Patriotizma në Tiranë”, autori ka marrë në analizë zhvillimet e shoqërisë shqiptare dhe pjesëmarrjen e atdhetarëve të Tiranës në veprimtari patriotike, para e pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, e përhapur kjo lëvizje edhe në qytete të tjera të vendit. “Patriotizma…” është një vepër dokumentare e papërsëritshme e këtij dëshmitari okular, siç ishte vetë Hafizi, pjesëmarrës aktiv i vijës së parë në veprimtaritë e kohës.
5. Poema satirike “Dokrrat e Hinit” vë në lojë ata njerëz që nuk i sjellin asnjë dobi atdheut dhe e kalojnë kohën nëpër lokale kafenesh me biseda të padobishme. Ja sesi i ironizon poeti pseudointelektualët që i përdorin fjalët e huaja vend e pa vend: “…Ja, për t’quejt, inteligjenca,/ Flasin disa fjalë të gjata,/ Konferenca, konkurenca,/ Proponimi, komunikata./ A kështu ka folë yt atë ?/ Ku asht shqipe kjo gjuhë dreqi?/ ç’janë kto fjalë nga’i hapashalë ?…” Sidoqoftë kryevepra e Hafiz Dalliut është vepra “E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.”, vepër origjinale në vargje (6143 vargje), po nuk bie më poshtë edhe Tefsiri i Kuranit i titulluar “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit” përkthyer prej vetë Dalliut. Kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut në dobi të të gjithë botës islame shqiptare e kanë pasur parasysh edhe shqiptarët e trojeve etnike të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi e më gjerë. Ata kanë vendosur ta botojnë e ta ribotojnë të plotë të gjithë veprën e Hafiz Dalliut. Një studim me rëndësi për jetën e Hafiz Dalliut ka bërë Doc. Sinan Tafaj që ka mbetur në dorëshkrim deri tani. Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri janë bërë studime e hulumtime serioze për dijetarë e atdhetarë të veshur me petkun e nderuar fetar; janë botuar monografi, artikuj gazetash e studime të posaçme shkencore e veprimtari të tjera për aktivistë të shquar si: Haxhi Vehbi Dibra, Hafëz Ali Korça, Said Najdeni, Ferid Vokopola etj.
Arrestimi dhe dënimi
Regjimi komunist e gjeti Hafiz Dalliun si mësues. Në vitin 1945, ishte emëruar mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, ku përgatitej brezi i ri i besimtarëve. Pikërisht në këtë kohë, në Shqipëri, kishte nisur sulmi gjakatar kundër elitës intelektuale. Padyshim që Hafiz Ibrahim Dalliu do të ishte pjesë e kësaj elite, që do të ndëshkohej nga diktatori Enver Hoxha. Ai u arrestua në fillim të shkurtit të vitit 1948, dhe më 24 shkurt të atij viti, me vendim nr. 67, Gjykata e Tiranës e dënoi «për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë», me 5 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për 3 vjet. Më 25 shtator 1948, Plenumi i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin nr. 67, sepse çështja ishte pushuar nga Gjykata e Lartë. Por Hafiz Ibrahim Dalliu ishte torturuar pa mëshirë, për shtatë muaj rresht, pa marrë parasysh as moshën e tij të thyer. Doli i gjymtuar nga qelitë errëta të diktaturës komuniste, në shtator të vitit 1948. Katër vite më pas, ndërroi jetë, pikërisht në shkurt të vitit 1952, kohë kur Shqipëria kishte hyrë në valën e frikshme të pushkatimit, burgosjes e internimeve të intelektualëve më në zë shqiptarë e familjeve të tyre. Hafiz Ibrahim Dalliu mbetet një ndër personalitetet më të lartë të gjysmës së parë të shekullit të shkuar, patriot, teolog e shkrimtar i shquar.
Akuzat
Aktakuza ndaj Dalliut u miratua më 5.2.1948 nga ndihmësprokurori i Garnizonit të Tiranës, Faik Minarolli. U akuzua në bazë të nenit 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kundra popullit e shtetit”, për agjitacion kundër pushtetit dhe reformave të tij me elementë të pakënaqur, komentimin e radiove “reaksionare” me Hafiz Dibrën, Hasan Tahsinin, Jonuz Bulajn, etj., popullarizimin se së shpejti do kishim një zbarkim anglo-amerikan dhe pushteti do përmbysej. Hetuesia u zhvillua më 13.10.1947 në Seksionin e Sigurimit të qytetit të Tiranës nga nëntoger Koli Miti. Procesi gjyqësor u hap më 19.2.1948. Dokumentacioni është përpiluar gjithë gabime, jo vetëm për datën e arrestimit, por edhe për tekstin dhe arsyetimin e tij. Madje sipas historianit Kastriot Dervishi të pandehurit i shkruhet keq edhe emri, në “Haziz Dolliu”. I pandehuri hedh poshtë akuzat dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Edhe mosha i vihet 70 vjeç, kur vetë ai shkruan se ishte 85 vjeç. Ai nuk e pranon procesin e hetuesisë ndaj tij. Me vendimin nr.89, datë 24.2.1948 Gjykata Ushtarake Tiranë, e përbërë nga major Gjon Banushi, kapiten I Abdyl Hakiu, kapiten II Shaban Nezha, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.227, datë 31.5.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Në kërkesën ankimore që i dërgon Gjykatës së Lartë Ushtarake, ndër të tjera shkruan: “Akuzat që u paraqitën kundër meje janë:
1- ”Ke fole kundër reformës agrare dhe reformave shoqërore”. Kjo akuzë rrëzohet vetvetiu, sepse jo vetëm që s’ka ndonjë fakt serioz mbi këtë, por nga ana tjetër, unë jam i vobektë, as kam tokë e ullinj dhe as më prekin fare reformat e pushtetit.
2-”Ke propaganduar në mes të profesorëve të medresesë mbi zbarkimin e trupave angloamerikane”. Edhe kjo akuzë nuk është aspak e vërtetë. Unë jam plak 85-vjeçar, zoti kryetar, i lodhur nga jeta. Ka më tepër se 15 vjet që kam heq dorë nga politika. Unë kam bërë politikë dhe jam përpjekur për fitimin e të drejtave të popullit shqiptar në kohën e rilindjes dhe ka, qenë i burgosur më tepër se 10 herë nga Turqia e sulltanëve. Këto fakte historike dihen prej të gjithëve. Sot me një këmbë në varr, me përgjegjësi familjare, unë mundohem t’i bëj ballë jetës me nder dhe s’kam as dëshirë, as kohë të bëj propagandë”. Hafizi u lirua me dekretin nr.819, datë 27.4.1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Emri i tij gjendet në numrin 253 të listës së të burgosurve që ndodheshin në Tiranë.