Një lloj unik i kredisë hipotekare që ofron një përfitim të madh financiar – pa pagesa për tre muajt e parë – është lansuar në Mbretërinë e Bashkuar, sipas The Guardian.
Oferta, e prezantuar nga Shoqëria e Ndërtimit Skipton, është inovacioni më i fundit që ka synim blerësit e parë të shtëpive që përballen me vështirësi financiare dhe t’u japë atyre pak hapësirë për frymëmarrje teksa vendosen në pronën e tyre të re.
Megjithatë, edhe pse hipoteka e re me fillim të vonuar (Delayed Start) pritet të ndihmojë në lehtësimin e kostove të blerjes së shtëpisë së parë, ato tre muajt e parë nuk janë falas. Interesi fillon të grumbullohet që nga dita e parë dhe i shtohet shumës totale të kredisë – ndaj disa mund ta shohin këtë ofertë si një version të “blej tani, paguaj më vonë” për kreditë hipotekore.
Skipton bëri të ditur se ky produkt i ri është ekskluzivisht për blerësit e parë dhe është në dispozicion për ata që marrin hua deri në 95% të vlerës së pronës.
Sipas një ankete të zhvilluar nga Skipton me persona që kishin blerë shtëpinë e tyre të parë në pesë vitet e fundit, blerësit e parë shpenzonin mbi 30,000 paund gjatë tre muajve të parë pas zhvendosjes. Kjo bëri që gati dy të tretat e tyre të ndiheshin “nën presion financiar” gjatë asaj periudhe, me shumë prej tyre që thanë se i gjithë procesi i zhvendosjes “kushtoi shumë më tepër sesa kishin pritur”.
Një zëdhënës i Skipton tha se produkti i ri “do t’u mundësojë blerësve të parë të vendosen në shtëpinë e tyre të re pa pasur nevojë të bëjnë pagesa mujore të kredisë për tre muajt e parë, duke i ndihmuar të përballojnë kostot shtesë që vijnë me blerjen dhe zhvendosjen në pronën e tyre të parë”.
David Hollingworth nga firma ndërmjetësuese L&C Mortgages tha se kjo ofertë do t’u mundësonte njerëzve të “rifitonin pak stabilitet” përpara se të fillonin pagesat e kredisë. Por interesi do të shtohet mbi shumën e kredisë, ndaj kjo mund të shihet si një lloj “pushimi pagese”. Ata që përfitojnë nga kjo ofertë do të kenë një kredi pak më të madhe dhe “kjo, për rrjedhojë, do t’ju kushtojë më shumë”.
Kjo është oferta më e fundit në një sërë iniciativash që synojnë ta bëjnë më të lehtë për blerësit e parë të futen në tregun e banesave. Në vitin 2014, Shoqëria e Ndërtimit Leeds prezantoi disa kredi me norma interesi hyrëse të stilit të kartave të kreditit “0%”, megjithëse klientët duhej të paguanin kapitalin që në muajt e parë, ndërsa interesi që nuk paguhej në fillim u shtohej pagesave të mëvonshme.
Më vonë – në vitin 2023 – Skipton prezantoi një ofertë që u lejonte personave që jetojnë me qira të marrin hua 100% të vlerës së pronës.