85 kilogramë kokainë të fshehura në kontejnerë të bananeve janë gjetur dhe sekuestruar sot në Portin e Rjekës në Kroaci.
Kontejneri kishte arritur përmes një anije nga Ekuadori përmes Maltës, njoftuan autoritetet policore, raporton KosovaPress.
Shefi i doganës rajonale të Rjekës, Andrej Franuloviq, tha se kontejneri u kontrollua me rreze Rëntgen dhe se droga në vlerë rreth 2.1 milionë euro do të asgjësohet pas analizave.
Gjatë ekzaminimit është vërejtur një anomali në strukturën e ngarkesës në kontejnerin në të cilin është dashur të ketë banane, pas së cilës janë thirrur për veprime të mëtutjeshme Shërbimi për Njësitë Mobile Rjeka dhe Shërbimi për krime narkotike Primorsko-Goranska.
Kroacia është në një rrugë tashmë të krijuar të kontrabandës së kokainës, veçanërisht nga Amerika e Jugut, përmes portit të Rjekës, i cili shënon një trafik në rritje çdo vit.
Kontrabandistët përdorin linja të ligjshme të transportit detar, kështu që ata përpiqen të kontrabandojnë kryesisht kokainë, sipas autoriteteve kroate.
Hetimi penal është duke vazhduar deri në mbledhjen e të gjitha provave në mënyrë që autorët të ndiqen penalisht, tha policia.