Rusia dhe Ukraina kanë raportuar për sulme ndaj forcave të tyre në ditën e parë të armëpushimit 72-orësh, të shpallur nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Kryeministri ukrainas, Andrii Sybiha, akuzoi Rusinë se e ka shkelur armëpushimin e shpallur vetë 734 herë që nga mesnata deri në mesditën e së enjtes. Ai, gjatë një postimi në X, e quajti armëpushimin një “farsë”.
Sulmet ruse goditën verilindjen e Ukrainës në orët e para të nisjes së armëpushimit të njëanshëm të Moskës, duke vrarë të paktën një civil, thanë zyrtarët ukrainas. Sulme me artileri u kryen në mbarë frontin e luftës, të gjatë 1.000 kilometra, edhe pse me intensitet më të ulët sesa në 24 orët paraprake, thanë zyrtarët.
Armëpushimi përkon me shënimin e 80-vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë Naziste. Kievi ka kërkuar një armëpushim më afatgjatë, për luftën e nisur nga Moska kundër shtetit fqinj më 2022.
Sybiha tha se Rusia ka kryer 63 sulme përgjatë vijës së frontit, duke shtuar se Ukraina është përgjigjur ndaj tyre.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat ukrainase se kanë sulmuar pozicionet ruse, duke shtuar se forcat ruse do të vazhdojnë t’iu kundërpërgjigjen veprimeve të Ukrainës, gjatë armëpushimit të Kremlinit.
Rusia ka raportuar për sulme me dronë gjatë natës në disa rajone, ndërkaq autoriteti i aviacionit civil të Rusisë përkohësisht ndali fluturimet nga aeroporti Nizhni Novgorod.REL