Projekti për Plazhin e Madh, kryetari i Ulqinit: Mbrojtja e të drejtave tona ka sakrificë

- Bota Sot

Projekti për Plazhin e Madh, kryetari i Ulqinit: Mbrojtja e të drejtave tona ka sakrificë

“Jemi të gatshëm të sakrifikojmë edhe individualisht”, thotë kryetari Genci Nimanbegu, për Plazhin e Madh të Ulqinit. Ai thekson se do të vazhdojnë të mbrojnë plazhin prej 13 kilometrave, i cili është paraparë që t’i jepet me qira për 99 vjet një investitori arab. Në rast se realizohet projekti i kompleksit turistik dhe banesor që po propozohet nga qeveria në Mal të Zi, Nimanbegu thotë se qytetarët e Ulqinit do të largohen nga trojet e veta.

Kundër këtij projekti, ditë më parë është protestuar para Kuvendit të Malit të Zi, me thirrjen se “Ulqini nuk është në shitje”.

Kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu derisa flet për KosovaPress thotë se këtë projekt e kundërshton komuna, opozita në nivel shtetëror dhe ambientalistë.

Nimanbegu: Presim nga Bashkimi Evropian mendimin që projekti për Plazhin e Madh ngadalëson integrimin e Malit të Zi

“Problemi i Plazhit të Madh është një problem i krijuar nga vet kryeministri Spajiq dhe nga shumica parlamentare dhe unë si kryetar komune u jam shumë mirënjohës subjekteve politike në komunën tonë, qoftë pozitë qoftë opozitë që njëzëri kemi marrë qëndrim që nuk e pranojmë një lloj shitje të Plazhit të Madh ndaj investitorëve të cilët as që kanë të bëjnë me investimin në hoteleri por në patundshmëri. Kuvendi i Malit të Zi e ka aprovuar marrëveshjen me të cilën do të mundësohet kjo punë por shihni që edhe komuniteti jonë, edhe shoqatat joqeveritare këmbëngulim që kjo në votimin e dytë të mos kalojë. Presim edhe nga Bashkimi Evropian mendimin që ky është një hap i cili do të ngadalësojë integrimin e Malit të Zi në Unionin Evropian, për arsye se i anashkalon ligjet mbi prokurime publike, mbi pronë shtetërore, madje edhe Kushtetutën e Malit të Zi e vënë në rend të dytë”, deklaron Nimanbegu.

Një pjesë të perlës së Plazhit të Madh të Ulqinit, qeveria e Malit të Zi ka planifikuar që t’ia japë me qira për 99 vjet një investitori arab.

Kjo marrëveshje me Emiratet u nënshkrua nga kryeministri Millojko Spajiq.

Nimanbegu: Ne nuk do të ndalemi duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve tanë

“Ne nuk do të ndalemi duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve tanë, por në rend të parë të fëmijëve tanë. Sepse nëse do të realizohet ky plan do të thotë që gjithë kjo zonë do t’i jepet një investitori të panjohur, apo të njohur, nuk ka rëndësi, për 100 vite pa para, me mundësi që të ndërtohen banesa, dhe kjo do të simbolizojë largimin e qytetarëve të Ulqinit nga trojet e veta sepse kjo është ekonomia jonë dhe qëndrimi im dhe qëndrimi i gjithë ekzekutivit, këshilltarëve është unik që të mos lejojmë këto hapa”, shton ai.

Nimanbegu thotë se nuk do të heqin dorë për “mbrojtjen e Plazhit të Madh të Ulqinit”.

Nimanbegu: Jemi të vetëdijshëm që mbrojtja e të drejtave tona ka sakrificë

“Edhe nëse do të ndodhë votimi i dytë nuk do ta lejojmë, qoftë edhe fizikisht. Jemi të vetëdijshëm që mbrojtja e të drejtave tona ka sakrificë dhe jemi të gatshëm, qoftë edhe individuale, sakrificë edhe materiale sepse askujt nuk i konvenon që gjatë sezonit veror të mbahen protesta apo gjatë sezonit turistik të merren hapa të cilat me qeverinë do t’i ashpërsojmë. Por siç edhe e kam thënë, kryeministrit Spajiq i dëshiroj një pension politik shumë të shpejt, sepse si kryeministër është një dëshpërim i madh për Malin e Zi”, shton ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot