Papa Leo XIV dha tre të dhëna të rëndësishme se si do ta udhëheq Vatikanin

- Bota Sot

Papa Leo XIV dha tre të dhëna të rëndësishme se si do ta udhëheq Vatikanin

Që nga momentet e para dhe paraqitjes në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Leo XIV dha tre sinjale të rëndësishme për mënyrën se si do të jetë udhëheqësi i Kishës Katolike, e cila numëron 1.4 miliard besimtarë.

Shenja e parë e Leo-s për mënyrën se si do të udhëheqë ishte zgjedhja e emrit të tij. Papët shpesh e përdorin këtë zgjedhje për të dërguar një sinjal të parë të rëndësishëm rreth prioriteteve të papatit të tyre të ri.

Papa Françesku mori emrin e Shën Françeskut të Asizit nga shekulli XIII-të, i cili hoqi dorë nga pasuria dhe dëshironte të kujdesej për të varfrit. Papa i fundit që mori emrin Leo, Leo XIII-të, i kushtoi pjesën më të madhe të papatit të tij nga viti 1878 deri më 1903 mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, duke kërkuar pagë të drejtë, kushte të drejta pune dhe të drejtën për t’u anëtarësuar në sindikata.

“Duke zgjedhur emrin Leo XIV-të, ai tregon se është i përkushtuar ndaj mësimit shoqëror të kishës”, tha at Thomas Reese, komentator jezuit që ndjek nga afër papatin.

Shenja e dytë ishte zgjedhja e gjuhës dhe fjalëve që përdori, të cilat theksuan qartë nevojën për paqe – një temë në të cilën ishte përqendruar edhe Papa Françesku.

Asnjë pjesë e fjalimit drejtuar turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit nuk ishte në anglisht; ai foli në italisht, gjuhën e papatit dhe kaloi shkurtimisht në spanjisht për të përshëndetur komunitetin e tij të dikurshëm në Peru, ku kishte kaluar kohë si misionar. Ai nuk përmendi SHBA-në, vendin ku ka lindur.

Papa i ri, duke kujtuar fjalët e Papa Françeskut, tregoi se sa i përket luftërave, do të ecë në të njëjtën rrugë. Papa Leo XIV tha se dëshironte të ndante paqen e Zotit dhe iu referua paraqitjes së fundit të Françeskut.

“Ende e kemi në vesh atë zë të dobët, por gjithmonë trim, të Papës Françesku”, tha ai, dhe më pas kërkoi leje për të dhënë të njëjtin bekim që Françesku dha vetëm disa javë më parë, duke thënë se “Zoti na do, Zoti i do të gjithë dhe e keqja nuk do të fitojë. Jemi në duart e Zotit”.

Shenja e tretë nga Papa i ri, Leo XIV ishte zgjedhja e veshjes në paraqitjen e parë.

Ndryshe nga Françesku, i cili hoqi dorë nga të gjitha shenjat e papatit, që në ditën e parë kur u zgjodh në vitin 2013, Papa Leo XIV mbante veshjen tradicionale të kuqe papnore. Edhe pse ndjek traditën e Papa Françeskut, Papa Leo XIV e bëri të qartë se është një papë i ri dhe ndryshe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot