Liverpuli do të mirëpresë Arsenalin në “Anfield” këtë fundjavë në ndeshjen e tyre të parë në shtëpi që kur u shpallën zyrtarisht kampionë të Premier Ligës.
Skuadra e Arne Slot fitoi titullin dy javë më parë me një fitore bindëse 5-1 ndaj Totenhemit, duke regjistruar një avantazh prej 15 pikësh ndaj Arsenalit të vendit të dytë. Siç është traditë, kampionët e sapokurorëzuar nderohen me një tunel duartrokitjesh nga kundërshtari në ndeshjet e tyre të mbetura.
Megjithatë, gjesti ka ngjallur shumë debate këtë sezon. Duke folur për mediat përpara ndeshjes këtë të diel, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta tha: “Diçka duhet të të shtyjë përpara, të të motivojë. Dhimbja ndoshta është e mirë për t’u përdorur ndonjëherë, kur nuk dëshiron vërtet të bësh diçka, por është gjëja e duhur për t’u bërë si motivim për sezonin e ardhshëm.
Do t’i japim Liverpulit një duartrokitje. Ata e meritojnë. Ata kanë qenë skuadra më e mirë, kanë qenë më të qëndrueshëm.
Ky është sporti, kur dikush është më i mirë, atëherë duhet ta duartrokasësh, ta pranosh dhe të përpiqesh të arrish atë nivel”.