Një ngjarje tragjike dhe e dyshimtë është regjistruar në zonën malore mes fshatrave Lubizhdë dhe Skorrobisht të Prizrenit, ku një i ri ka humbur jetën nga një plagë me armë zjarri, ndërsa tre persona janë ndaluar nga Prokuroria për përfshirje në veprën penale të shitjes dhe furnizimit të paautorizuar të armës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima, Anton Tunaj (2001), kishte shkuar në malësi së bashku me Samel Jusufi, 23-vjeçar, Diart Bytyqi, 24-vjeçar dhe një të mitur A.J., për të testuar një pistoletë të tipit “Zoraki 917-T”, që sipas deklarimeve paraprake të dyshuarve, viktima kishte për qëllim ta blinte nga Jusufi.
Sipas versionit të tyre, viktima ka shtënë tri herë në tokë dhe më pas ka qëlluar veten në kokë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të tronditur nga ajo që panë, dy të rriturit dhe i mituri janë larguar dhe më pas janë paraquar në polici për të raportuar rastin.
Menjëherë pas raportimit, njësitet patrulluese dhe hetimore të Sektorit Rajonal të Hetimeve (SRH) në Prizren, krim-teknikët, Instituti i Mjekësisë Ligjore, njësia e balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, si dhe Prokurori kujdestar dhe Kryeprokurori, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimin e plotë të skenës.
Gjatë kontrollit, në vendin e ngjarjes është sekuestruar një pistoletë Zoraki 917-T, pa fishekë, si dhe prova të tjera që lidhen me rastin. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa është iniciuar hetimi për veprën penale:
“Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” – neni përkatës i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit: Samel Jusufi dhe Diart Bytyqi janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri A.J. është ndaluar për 24 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.