Egnatia-Vllaznia sfidohen për titullin kampion, ja dilemat e formacionit për Tetovën e Brdariç

- Bota Sot

Egnatia-Vllaznia sfidohen për titullin kampion, ja dilemat e formacionit për Tetovën e Brdariç

Vllaznia dhe Egnatia do të luajnë sot në orën 20:00. Kjo përballje do të caktojë skuadrën kampione të sezonit 2024/25.

Ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe po ashtu më e rëndësishmja e 24 viteve të fundit për Vllazninë tashmë ka “trokitur”. Shkodranët do të jenë përballë Egnatias ditën e hënë, në orën 20:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”, për finalen e kampionatit.

Duel që e prisnin me padurim në radhët e klubit dhe tifozerisë shkodrane, kjo për të rikthyer titullin kampion që mungon që nga viti i largët 2001. E, për një duel të tillë, dyshimet për formacionin titullar në radhët e kuqebluve duket se janë të pakta. Me trajnerin Brdariç që duket se do t’u besojë atyre që kanë pasur më shumë minuta këtë sezon dhe që “garantojnë” më tepër. Kështu, nga porta do ta nisë Jukaj, që ka qenë një surprizë pozitive e këtij edicioni për Vllazninë.

Në mbrojtje, nga e djathta, i rikuperuar duket totalisht Gurishta. Me zëvendëskapitenin, i cili, së bashku me Stojanoviç dhe Repajn në qendër e Jagon majtas, formojnë repartin e prapavijës. Në mesfushë nuk është i rikuperuar Ardit Deliu, i cili zëvendësohet nga Sala. Me shkodranin që do të ketë mbështetjen e Krymit dhe Qatos në këtë repart. Nga e djathta e sulmit, si zakonisht do jetë Mala, me një balotazh Dodaj-Gruda për krahun e majtë të sulmit. Teksa si pikë referimi do të jetë sulmuesi kryesor dhe golashënuesi më i mirë i këtij edicioni në Superiore, Bekim Balaj.

Tetova me sytë nga reparti i sulmit

Duket se nuk do të ketë shumë dilema sa u përket titullarëve në këtë ndeshje. Të paktën, kjo është lënë të kuptohet nga ana e Tetovës edhe në seancat e fundit stërvitore. Kështu, në portë pritet të jetë Dajsinani, ndërsa para tij në mbrojtje rreshtohet Alijev me Fangaj nga krahët, si edhe Xhemajli me Dylis në qendër të saj. Aleksi dhe Fernando si gjithnjë do të jenë para mbrojtjes, njëri në rolin e shkatërruesit dhe tjetri në atë të ndërtuesit të lojës. Ujka, Lushkja dhe Zejnullai do të jenë në mbështetje të sulmuesit të vetëm që do të jetë një mes Guindos dhe Bakajokos.



Lexoni të gjitha në Bota Sot