Pas sezonit dëshpërues nëpër të cilin po kalon, Real Madridi pritet të bëjë ndryshime të mëdha gjatë verës që po vjen.
Pa dyshim, ndryshimi kryesor është ai i ndërrimit të trajnerit, me Carlo Ancelottin që do të largohet pas përfundimit të këtij sezonit dhe në vend të tij në kryeqytetin spanjoll do të zbarkojë Xabi Alonso.
Por, edhe ekipi “do të preket” gjatë verës, njoftojnë mediat spanjolle.
Mediumi spanjoll “Marca” raporton se Rodrygo do ta marrë vendimin sa më shpejt të jetë e mundur për të ardhmen e tij.
Pozicioni i “Los Blancos” është i qartë: kushdo që ka dyshime për të luajtur apo jo në Real Madrid, është i lirë të largohet nga klubi.
Pra, në ditët në vazhdim sulmuesi brazilian do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij, ndërsa spekulohet se ai mund të përfundojë në Manchester City.
Një tjetër lojtar që pritet t’i ndajë rrugët me kampionin aktual spanjoll, evropian dhe botëror është Lucas Vazquez.
Mbrojtësi i djathtë pritet të bëhet lojtar i lirë nga 1 korriku dhe mund ta gjejë një klub të ri.
Kjo pasi “Merengues do t’i kenë dy mbrojtës të krahut të djathtë, Dani Carvajal dhe Trent Alexander-Arnold, të cilin e morën nga Liverpooli.
Gjithashtu, gjatë verës që po vjen priten edhe largime të tjera nga “Santiago Bernabeu”, por edhe prurje të reja, sigurisht, varësisht kërkesave të trajnerit të ri, Xabi Alonso..