Randal Kolo Muani nuk po kalon një sezon të bujshëm në aspektin statistikor, por sulmuesi francez duket se ka gjetur qetësinë dhe hapësirat që kërkonte te Juventusi.
I ardhur në formë huazimi nga PSG-ja gjatë merkatos së janarit, Kolo Muani po përfiton nga minutat e ofruara në Serinë A për të rikuperuar besimin dhe për të treguar vlerat e tij.
Pas ndeshjes kundër Lacios, e përfunduar me rezultatin 1-1, 25-vjeçari francez ka folur për mediat me një ton optimist, duke theksuar rëndësinë që ka për të rikthimi në fushë me vazhdimësi dhe ndjesinë pozitive që i ka ofruar ambienti bardhezi.
“Jam shumë i lumtur për mikpritjen që kam marrë këtu në Torino. Kjo skuadër është si një familje për mua”, tha ai pas sfidës në “Olimpico”. Edhe pse transferimi i tij është vetëm i përkohshëm, deklaratat e Kolo Muanisë kanë lënë të kuptohet se lojtari është i hapur për një qëndrim të mundshëm edhe pas këtij sezoni.
Komentet e tij pozitive për klubin, stafin dhe shokët e skuadrës u kanë dhënë tifozëve bardhezi një fije shprese për ta parë sulmuesin francez të vazhdojë aventurën e tij në Torino. Me dy ndeshje vendimtare përpara, çdo paraqitje e tij do të peshojë jo vetëm për renditjen e Juventusit, por edhe për të ardhmen e vetë lojtarit në Torino.