Albina Bilalli-Zeqiri “Qytetare nderi“ në zemër të Gjermanisë

- Bota Sot

Albina Bilalli-Zeqiri “Qytetare nderi“ në zemër të Gjermanisë

"Mërgata shqiptare, për fat të keq, shpesh është e harruar nga atdheu. Por ne duhet të qëndrojmë stoik ndaj çdo rryme që mundohet të na përçajë, ndërsa vetë nuk duhet ta harrojmë atdheun", na tha ndër të tjera znj. Bilalli-Zeqiri

Përkushtimi, dashuria për gjuhën, kulturën dhe njerëzit nuk njeh kufij. Këtë e dëshmon më së miri znj. Albina Bilalli-Zeqiri, e cila është nderuar së fundmi me titullin “Qytetare Nderi” nga Komuna Mössingen në Gjermani, një mirënjohje që vlerëson punën e saj shumëvjeçare në integrimin, edukimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Në këtë intervistë, ajo ndan me ne emocionet, sfidat dhe krenarinë e këtij çmimi që i ka prekur zemrën thellë.

Përshëndetje e nderuara znj. Bilalli-Zeqiri. Ju falënderojmë për kohën që po ndani për këtë bashkëbisedim. Fillimisht, në emrin tim dhe të stafit tonë, ju urojmë për një arritje të madhe, jo vetëm për Ju, por për gjithë komunitetin. Disa ditë më parë jeni nderuar me titullin “Qytetare Nderi” nga Komuna Mössingen në Gjermani. A mund të na thoni se si erdhi deri te ky nderim?

Faleminderit edhe juve si staf dhe medium sam24.info që më dhatë hapësirë të tregoj për punën time në mërgatë. Që kur erdha në Gjermani, fillova të ndihmoja në përgatitjen e nxënësve me rastin e festave kombëtare për programet festive, e më pas edhe si mësuese e mësimit plotësues në qytete të ndryshme. Të them të drejtën, një udhëtim i tillë ishte me shumë batica e zbatica, nga mësuese e deri te përkthyesja vullnetare në kuadër të Komunës së Mössingen-it, shpesh edhe si këshilluese e prindërve (Elternmentorin), duke qenë urëlidhëse midis institucioneve të ndryshme në raport me prindërit e nxënësve.

Që nga viti 2020 jam edhe në grupin e përkthyesve në qytetin ku jetoj, ku përkthej në gjuhë të ndryshme: shqip, serbisht, kroatisht e maqedonisht. Më është dhënë mundësia të ndjek edhe trajnime të ndryshme si këshilluese apo mentore e prindërve (Elternmentorin). Kam ndihmuar dhe vazhdoj të ndihmoj me shumë dëshirë e vullnet kudo që kërkohet, pa dallim feje apo kombësie.

Ky titull që më është dhënë ditë më parë është një gjë që kurrë nuk e kam paramenduar, as në ëndërr nuk e kam parë. Është një privilegj për mua dhe më jep më shumë elan për të vazhduar në rrugën time si humaniste. Është dhe do të mbetet një ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.

Na tregoni ju lutem, prej kur jetoni në Gjermani?

Që nga qershori i vitit 2009 jetoj në Gjermani.

Jeni edhe mësuese e shkollës plotësuese shqipe në Gjermani. Sa jeni e kënaqur me numrin e nxënësve, duke ditur që në Gjermani ka shumë mërgimtarë?

Mësuese e mësimit plotësues në Gjermani kam punuar gjatë viteve 2009/2010 dhe 2011/2012. Ndërsa e veçanta e qytetit të Mössingen-it është se që nga shtatori i vitit 2021, Zyra për Integrim e këtij qyteti ka themeluar Shkollën e Gjuhëve Amtare në Mössingen, ku kemi edhe paralelen në gjuhën shqipe.

Prioritet i këtij projekti është se edhe më tej, kryetari i kësaj Komune, z. Michael Bulander, vazhdon ta mbështesë dhe financojë mbarëvajtjen e kësaj shkolle. Numri i shqiptarëve në Gjermani është shumë i madh, veçanërisht në qytetin ku jetojmë, por për fat të keq nuk ka numër të duhur të nxënësve në mësimin e gjuhës amtare.

Unë kam dy klasë me mbi 40 nxënës, por statistikat tregojnë ndryshe. Jam më se e bindur që numri i nxënësve e kalon shifrën prej 100, ndoshta edhe më shumë. Mësimi është falas, tekstet po ashtu, dhe ajo më e rëndësishmja, dëftesat njihen edhe nga shkollat ku nxënësit vijojnë mësimet në gjuhën gjermane.

Sipas jush, ku duhet të investojnë shtetet tona për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe në mërgatë?

Shtetet tona duhet të bëjnë çmos për zyrtarizimin e këtyre shkollave. Duhet të forcojnë marrëdhëniet me shtetin gjerman, me një theks të veçantë për mësimin e gjuhës amtare. Shumë shtete e kanë zgjidhur këtë çështje dhe fëmijët ndjekin mësimet në gjuhën amtare. Prandaj, duke filluar nga ambasadat e deri te institucionet më të larta të vendit, bëjmë thirrje që të angazhohen më shumë në këtë drejtim. Gjuha ruhet aty ku shkruhet; nëse nuk shkruhet, nuk ka si ta mbajmë gjallë.

Keni forcuar lidhjet midis komunitetit shqiptar dhe shoqërisë gjermane, duke shërbyer si shembull frymëzues për të gjithë ata që punojnë për integrimin dhe ruajtjen e kulturës kombëtare jashtë atdheut. Si pritet mërgata jonë nga gjermanët?

Me nxënësit dhe nënat jemi kudo nëpër aktivitetet e ndryshme të qytetit tonë dhe rrethinës, ku kemi rastin të shpalosim dhe njëkohësisht të ruajmë traditat kulturore shqiptare. Jemi shumë të mirëpritur, na ftojnë për çdo festë, dhe kudo nëpër media zëmë faqet e para të ballinave. Jemi një komb që kemi një pasuri të lashtë kulturore, ndaj do t’i ruaj me shumë dashuri dhe do të vazhdoj të punoj sa më shumë në këtë drejtim.

Ku mendoni se duhet të punohet më shumë, e kam fjalën për mërgatën, që të ruajmë brezin e ri që po vjen, meqë tashmë kemi edhe gjeneratën e katërt të mërgatës sonë?

Për të ruajtur brezat e rinj nga asimilimi, puna më e madhe është vijimi i mësimit në gjuhën shqipe, por më e rëndësishmja është vetëdijësimi i prindërve. Siç po shohim, vendet tona po braktisen, por edhe ne që jemi me vite të tëra këtu, nuk po e kuptojmë rëndësinë dhe vlerën e ruajtjes së gjuhës amtare. Sidomos ne si mësimdhënës ballafaqohemi çdo ditë me këtë sfidë. Na duhen më shumë takime me njerëz përgjegjës të vendit tonë dhe të vendit nikoqir që të vetëdijësohemi se pa gjuhën amtare asnjë gjuhë tjetër nuk mësohet.

Sa nxënës i keni ju si mësuese?

Siç e thashë edhe më lart, unë kam 41 nxënës, të ndarë në dy grupe dhe tri nivele.

Bashkëpunimi juaj me mësues të tjerë shqiptarë?

Bashkëpunoj me secilin mësues që më jepet mundësia, por të them të drejtën nuk kemi raste të shpeshta për t’u takuar e për të diskutuar rreth problemeve që na preokupojnë. Është ndoshta e arsyeshme, sepse secili prej nesh ka një punë bazë dhe si dytësore e kemi mësimin në gjuhën shqipe. Sidoqoftë, sot kemi mundësi më të shumta për t’u takuar, për shembull online, sa herë që të duam. Uroj dhe shpresoj që të punojmë e të kemi më shumë mundësi për të shkëmbyer përvojat tona profesionale në të mirë të kombit dhe të brezave tanë, të cilët janë e ardhmja jonë.

Mendoni se do të duhej që të bashkëpunohet më shumë mes grave shqiptare në atë pjesë ku jeni?

Duke pasur parasysh pozitën dhe emancipimin e gruas shqiptare sot, patjetër që një bashkëpunim ndërgjinor është i domosdoshëm. Unë, në bashkëpunim me grupin e nënave të nxënësve dhe me kolege e mike joshqiptare, kemi arritur të punojmë në të mirë të komunitetit dhe të jetës së fëmijëve tanë. Përmes aktiviteteve të ndryshme, shkëmbejmë përvojat tona në çdo sferë.

Si e shihni gjeneratën e re të mërgatës?

Me keqardhje e them se gjenerata e re e mërgatës, në të mirë apo në të keq, është një pasqyrë e asaj që kemi mbjellë ne tek ata, qoftë si prindër apo si mësimdhënës. “Çfarë do mbjellësh, do të korrësh.”

Mendoni se mërgata shqiptare është e harruar nga atdheu apo kujtohet vetëm kur afrohen zgjedhjet?

Mërgata shqiptare, për fat të keq, shpesh është e harruar nga atdheu. Por ne duhet të qëndrojmë stoik ndaj çdo rryme që mundohet të na përçajë, ndërsa vetë nuk duhet ta harrojmë atdheun.

Ka ardhur koha që mërgata shqiptare të investojë më shumë në veten e saj aty ku jeton, sesa në atdhe?

Është shumë normale që edhe ne të jemi egoistë në kuptimin e mirë të fjalës, jo për të keq, por për veten dhe fëmijët tanë. Aty ku jetojmë duhet edhe të shijojmë jetën. Secili prej nesh e di sa shumë punojmë e veprojmë këtu për të investuar në atdhe. Gjithçka për ne është atdheu, por të gjithë ata që patën fatin të jetojnë në vendin e tyre të na kuptojnë mallin dhe përkushtimin tonë. Do të ishte e kuptueshme që edhe ne të jetojmë pak edhe për veten.

Keni fituar apo humbur më shumë që jeni larg atdheut?

Kam fituar shumë: respekt, dashuri, mirënjohje, e mbi të gjitha titullin “Qytetare Nderi”, që nuk besoj se do ta merrja nga vendi im. Kam humbur shumë që jam larg familjes dhe më të dashurve. Uroj të mos humbim më shumë, sepse humbje e quaj asimilimin dhe ëndrrën për t’u kthyer në atdhe.

Në syrin e një mërgimtareje dhe intelektualeje, si e shihni Kosovën apo situatën atje në përgjithësi?

Një Kosovë të pavarur, një Kosovë në liri, ku çdoherë me padurim pres të kthehem dhe të shijoj çdo ditë të bukur atje, jo vetëm pushimet, por përgjithmonë. Ajo që më shqetëson më shumë është braktisja, ikja e të rinjve drejt vendeve të huaja. “Atje ku edhe balta është më e ëmbël se mjalta.”

Në fund të këtij bashkëbisedimi, edhe një herë ju urojmë dhe besojmë shumë se sukseset e tjera nuk do t’ju mungojnë.

Presim të bashkëpunojmë edhe me ju që ti jepni hapësirë edhe më shumë aktiviteteve të mërgatës sonë edhe në Gjermani.

Faleminderit shumë.

Faleminderit edhe njëherë juve që më dhatë hapësirë për të treguar për jetën dhe angazhimin tim në diasporë. Me shumë kënaqësi do të bashkëpunoj me ju!

( Fotot e siguruara nga znj. Albina Bilalli-Zeqiri )



Lexoni të gjitha në Bota Sot