Zola për McTominay

- Bota Sot

Zola për McTominay

Legjenda e futbollit italian, Gianfranco Zola, sot nënkryetar i “Lega Pro”, ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”, ku ka folur për disa nga temat më të nxehta të momentit në futbollin italian dhe europian, përfshirë të ardhmen e trajnerëve Antonio Conte e Claudio Ranieri, si dhe ndikimin e Scott McTominay në suksesin e Napolit këtë sezon.

Zola, i cili vazhdon të jetë një zë me peshë në futbollin italian, është shprehur skeptik për largimin e mundshëm të Contes nga Napoli: “Nuk jam edhe aq i bindur që Conte do të largohet, sidomos nëse gjërat ecin mirë. Unë do të bëja gjithçka për ta mbajtur, Antonio fiton dhe krijon vlera. Më pëlqen shumë. Për të mirën që ia dua Napolit, uroj të arrijnë një marrëveshje”.

Për Claudio Ranieri dhe të ardhmen e tij në pankinë, Zola hedh një ide interesante: “Roma? Kam një ndjesi të vogël se Ranieri mund të qëndrojë edhe një vit tjetër aty. Një provokim, ndoshta, por e meriton, sepse e bën punën e tij në mënyrë të shkëlqyer”.

Ndërkohë, Zola nuk ka kursyer vlerësimet për një nga pikat kyçe të Napolit këtë sezon: “McTominay është lojtari që ka bërë diferencën.

Miqtë e mi nga Manchesteri nuk arrijnë të kuptojnë pse u shit në atë mënyrë dhe për ato shifra. Ishte një nga vendimet më të gabuara të Manchester United dhe më fatlumet për Napolin. Ndaj Parmës, gjithsesi, Lukaku mund të jetë vendimtar. Për tipologjinë dhe qëndrimin e tij, Lukaku është pika e ekuilibrit për lojën dhe skuadrën te Napoli”.

Në fund, një koment për Interin, në garë për të fituar Ligën e Kampionëve: “Nuk do të më surprizonte. Në dhjetor shkova të shikoja Cagliari-Inter dhe mendova, madje edhe e thashë, se ishte një nga skuadrat më të forta në Europë. Zikaltrit më lanë përshtypje për cilësinë dhe prezencën në fushë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot