“Takim zemrash”, diaspora një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm

- Bota Sot

“Takim zemrash”, diaspora një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm

Me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet diasporës dhe vendeve shqiptare në rajon, Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare ka mbledhur në një konferencë ekonomike ndërkombëtare në Prishtinë përfaqësues të bizneseve shqiptare nga Kanada në Austali, për të ndërtuar ura konkrete bashkëpunimi.

Në këtë forum, i cili mblodhi përfaqësues nga Kanadaja, Australia, Evropa dhe rajoni, u theksua roli strategjik i diasporës jo vetëm si investitorë, por si burim dijesh, teknologjie dhe rrjetesh globale.

Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Omer Nura, tha se kjo nuk është vetëm konferencë, por sipas tij, “takim zemrash dhe mendjesh” që punojnë për një qëllim të përbashkët: zhvillimin ekonomik dhe forcimin e lidhjeve mes nesh.

Nura: Bashkë ndërtojmë, bashkë rritemi dhe bashkë e bëjnë të pamundurën të mundur

"Në një ngjarje që është shumë më shumë se konferencë, është takim zemrash dhe mendje që punojnë për të njëjtin qëllim, zhvillim ekonomik dhe forcimin e lidhjeve mes nesh. Këtë herë konferencën e kemi realizuar duke bashkuar degët e rrjetit nga Kanada në Australi, është dëshmi që fuqia qëndron duke bashkëpunuar. Që nga dita parë, qëllimi ka qenë i qartë, të lidhem diasporën me vendlindjen, të krijojmë ura bashkëpunimi mes bizneseve tona dhe të forcojmë ekonominë përmes rrjetëzimit. Puna jonë nuk është e lehtë sidomos në këtë kohë të recensionit ekonomik, por është punë me zëmër... Bashkë ndërtojmë, bashkë rritemi dhe bashkë e bëjnë të pamundurën të mundur", ka thënë Nura.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënvizoi se “diaspora është kapital njerëzor që sjell dije dhe lidhje me tregjet ndërkombëtare”, duke shtuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është në tranzicion drejt një modeli që mbështetet më shumë në investime dhe eksport.

Hajdari: Diaspora është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm

"Diaspora është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës dhe ne e shohim diasporën si kapital njerëzor, përpara se të shohim si kapital financiar, sepse është një forcë që sjellë njohuri, përvojë, teknologji, lidhje me tregjet ndërkombëtare dhe më shumë. Në këtë drejtim jemi të përkushtuar të krijojmë lidhje të forta në mes ndërmarrjeve të diasporës dhe bizneseve tona të cilat kanë shumë potencial të pashpalosur përmes investimeve edhe përmes shkëmbimit të dijes. Modeli i zhvillimit ekonomik të Kosovës po evulon, dhe mbështetja në dërgesat financiare drejt rritjes së investimeve, eksporteve, diaspora po luan një rol kyç në këtë tranzicion...Investimet private, sidomos ato të huaja janë kyvce për zhvillim tonë andaj ju ftoj të sjelleni sa më shumë dijen tuaj që është vlerë që ska çmim dhe sa më shumë rrjetëzime në bizneset tona", ka thënë Hajdari.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi këtë ngjarje si një udhëkryq mundësish, ku po ndërtohen partneritete të reja.

Rama: Qëndrojmë në udhëkryq të mundësive

"Teksa bashkohemi për konferencën ekonomike qëndrojmë në udhëkryq të mundësive ku idetë krijohen, partneritetet takohen dhe krijojnë baza për vendin tonë...Jemi dëshmitar të një epoke të transformimit ku bizneset lokale po lulëzojnë, partneritetet ndërkombëtare po forcohen...Një numër i madh i kompanive dhe të tjera nga vendet e botës po zbulojnë se Prishtina ka balancin e duhur mes jetës dhe punës. Duhet pasur edhe një aspekt të jetës të mirë për të stimuluar kreativitetin, inovacionin dhe me qenë një ndërmarrës i mirë. Një tjetër arritje po ashtu e rëndësishme për kryeqytetin është se në vitin 2030 Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, ngjarje historike që do të sjellë investime dhe do të promovojë kryeqytetin tonë", ka thënë Rama.

Pjesë e panelit ishin edhe figura të tjera të rëndësishme si kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila vlerësoi konferencën si një model të suksesshëm të unitetit ekonomik mbarë shqiptar

Sinani: Një mesazh uniteti dhe bashkëpunimi ekonomik

"Kam nderin të jem sot mes jush në këtë ngjarje madhore ekonomike që prej vitesh ne po përçojmë një mesazh uniteti dhe bashkëpunimi ekonomik në hapësirat shqiptare. Kjo konferencë është model i suksesshëm se si diaspora dhe vendlindja mund të kontribuojnë bashkë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve tona", ka thënë Sinani.

Në konferencë foli edhe Kushtrim Ahmeti drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i cili theksoi se diaspora ka qenë gjithmonë në zemër të zhvillimit ekonomik të vendit – para luftës, gjatë rindërtimit dhe tani në tranzicionin ekonomik. Ai theksoi se ky është momenti kur kontributi i diasporës duhet të kthehet në investim të qëndrueshëm.

Ahmeti: Kjo le të shërbejë si urë konkrete që lidh potencialin e diasporës sonë me energjinë në tregun vendor

"Ky nuk është vetëm një takim pune, por është një moment kyç për ekonominë tanë dhe moment vendimtar. Kjo le të shërbejë si urë konkrete që lidh potencialin e diasporës sonë me energjinë në tregun vendor dhe me bizneset tona të cilat po rriten çdo ditë. Ky forum është edhe një platformë dhe vizion i përbashkët në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të nevojshëm të Kosovës, në një nxitje të inovacionit dhe ndërtimit të partneriteteve që i rezistojnë kohës. Diaspora jonë ka qenë gjithmonë në zemër të zhvillimeve madhore të vendit tonë", ka thënë ai.

Kryetari i Rrjetit në Australi, Tim Dardana përmendi sfidat që sjell distanca gjeografike, por theksoi se rrjeti i bizneseve ka ndihmuar në afrimin e komunitetit shqiptar dhe bashkëpunimin përmes ekonomisë.

Dardana: Misioni jonë ka qenë gjithmonë të ndërtojmë ura përmes bashkëpunimit të bizneseve

"Rrjetin tashmë pas 11 viteve e kemi dhe nuk ka qenë pa sfida, por së bashku kemi kaluar dhe vazhdojmë të rritemi. Në Australi kemi qindra biznese, prej më shumë se 100 mijë shqiptare. Në Australi sfidohemi me shumë gjëra koti... Mbi të gjitha rrjeti i bizneseve na ka ndihmuar të afrohemi dhe të njohim njëri tjetrin e të bashkëpunojmë. Misioni jonë ka qenë gjithmonë të ndërtojmë ura përmes bashkëpunimit të bizneseve", ka thënë ai.

Nën mesazhin se “koha për veprim konkret ka ardhur”, pjesëmarrësit diskutuan mënyrat e ndërlidhjes së bizneseve në mërgatë me ato në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut e më gjerë, duke synuar rritjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në hapësirën mbarëkombëtare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot