Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer ka bërë thirrje nga Tirana për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij në Komunitetin Politik Europian, Kryeministri britanik bëri të qartë se Ukraina kërko armëpushim, teksa nga ana tjetër Presidenti rus Vladimir Putin bën lojëra dhe nuk e do paqen.
“Jemi në një epokë të re, por karakterizohet nga luhatja dhe paqëndrueshmëria. Është shumë e rëndësishme që gjendemi sot këtu. Ne kemi intensifikuar angazhimin me aleatët tanë europianë, duke kuptuar që partneriteti është jetik për të arritur rimëkëmbje të sigurisë. Në fakt ndërkohë kemi punuar për këtë aleancë në mbarë Europën. Kam kënaqësi që jam Kryeministri i parë britanik që vij këtu në një vizitë dypalëshe. Kam kënaqësi të mirëpres Antonion të hënën në Londër për Samitin e parë midis Britanisë dhe BE-së, që ka të bëjë me njohjen e faktit që shumë sfida me të cilat përballemi janë sfida që i ndajmë së bashku.
Sfida më urgjente sot këtu është sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Duhet të bëjmë më shumë për mbrojtjen tonë. Tani duhet të jemi të përgatitur që ta ndjekim deri në fund sepse nëse Rusia nuk do të ulet në tryezën e diskutimeve, Putini duhet të paguajë çmimin. Putini nuk e ka seriozisht paqen, po tërheq këmbës zvarrë dhe po luan lojëra. Qartësisht Ukraina është pala e paqes”.
Kryeministri Starmer foli sërish për çështjen e migracionit, duke kërkuar ngritjen e një sistemi të drejtë.
“Një tjetër sfidë përfshin migracionin. Ka viktima ata më të varfërit dhe që ndikon në shërbimet tona të migracionit, prandaj e kam bërë pjesë të rendit të ditës. Natyrisht edhe pjesë të axhendës sot. Kjo është një sfidë përtej kufijve tanë me të cilën duhet të përballemi së bashku, duhet një sistem emigracioni që është i drejtë. Procesi po jep rezultate. Dje isha në portin e Durrësit dhe pashë se si forcat e Mbretërisë së Bashkuar po punojnë me forcat shqiptare për të luftuar krimin kufitar”.