Policia Rajonale në Prizren njoftoi se nga kjo javë, janë aktivizuar njësitet patrulluese të policëve me biçikleta, në Stacionin Policor Prizren dhe në Stacionin Policor Prizren-Veri.
“Këto njësite janë aktivizuar me qëllim të rritjes së prezencës policore në hapësira publike, lehtësimit të qasjes në zonat e ngushta urbane, si dhe për të forcuar bashkëpunimin dhe komunikimin me qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saj për të garantuar sigurinë, rendin dhe qetësinë publike, duke përdorur mjete dhe metoda bashkëkohore të punës. Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me njësitet patrulluese dhe t’i adresojnë nevojat apo shqetësimet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë”, përfundon njoftimi.