Milani do të humbasë 100 milionë euro nga moskualifikimi në Champions

- Bota Sot

Milani do të humbasë 100 milionë euro nga moskualifikimi në Champions

Humbja në finalen e Kupës së Italisë ndaj Bolognas mund të jetë goditja përfundimtare për një sezon zhgënjyes të Milanit, që tani rrezikon seriozisht të mbetet jashtë kompeticioneve europiane për sezonin e ardhshëm.

Pas një performance të dobët në kampionat dhe pa asnjë trofe, klubi kuqezi duket se ka humbur edhe shansin e fundit për të shpëtuar sezonin.

Shanset për një kualifikim në Champions League janë minimale: Milani duhet të fitojë dy ndeshjet e fundit dhe të shpresojë për një sërë rezultatesh negative nga ndeshje të tjera.

Madje, nëse situata nuk përmirësohet, skuadra e Concecao mund të mbetet jashtë Europa League dhe Conference League.

Sipas një raportimi të Tuttosport, moskualifikimi në Champions League i kushton Milanit rreth 100 milionë euro. Këtë sezon, kuqezinjtë kanë përfituar rreth 60 milionë euro nga UEFA, përfshirë shpërblimet për pjesëmarrje dhe të ardhurat nga rezultatet deri në eliminimin kundër Feyenoord.

Me përfitimet shtesë nga biletat dhe sponsorizimet, shuma arrin deri në 100 milionë euro, të cilat Milani nuk do t’i ketë sezonin tjetër nëse mbetet jashtë Champions-it.



Lexoni të gjitha në Bota Sot