Hetime ndaj disa Përmbaruesve privat në Prizren

- Gazeta e Prizrenit

Hetime ndaj disa Përmbaruesve privat në Prizren

Në Prizren po zhvillohen hetime ndaj disa përmbaruesve. Referuar informacioneve në kontekst të hetimeve janë edhe dyshimet e mundshme që kanë të bëjnë me rastet në sektorin e arsimit, por edhe raste tjera, raporton Gazeta e Prizrenit.

Burime të besueshme me kusht anonimiteti, thonë se hetimet kanë nisur për shkak të rritjes së përfitimeve nga ana e përmbaruesve, ndërkohë që administrata tatimore ka kërkuar verifikimin e një numri të madh të lëndëve.

Prokuroria e Prizrenit, duke ju përgjigjur “Gazetës së Prizrenit” nuk i ka mohuar hetimet, por ka shmangur informacione të mëtejshme për shkak të natyrës konfidenciale. Një burim pohoi se hetimet synojnë zbardhjen e mundësive të manipulimit dhe ndikimeve.

Në komunitetin e mësimdhënësve ka dyshime për manipulime dhe neglizhencë gjatë procesit të realizimit të të drejtës së tyre nga Kontrata Kolektive, të të cilat ata i kanë realizuar nga Drejtoria e Arsimit, por përmes gjykatës, përmes avokatëve.

Sipas burimeve, të cilat preferojnë të mbeten anonime, ka pasur manipulime me mjetet nga Kontrata Kolektive, përfshirë shujtat, kualifikimin, dhe çështje tjera, ndërsa këtu mund të jenë implikuar edhe avokatët. ”Dikujt ia kanë dhënë paratë kesh e pa kurrfarë prezantimi të vendimit të gjykatës, dikujt fare nuk ua kanë dhënë kamatën, e dikujt ia kanë vonuar mjetet, si dhe raste të ngjashme që çojnë në dyshime për procesin”, tha burimi.

Kryetari i Odës së Avokatëve në Prizren, Blerim Mazreku, për Gazetën e Prizrenit mohoi nëse hetimet kanë të bëjnë edhe ndaj avokatëve.

Ndryshe, në vitin 2022, Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë kundër përmbarueses private S.K., e cila dyshohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Pas këtij rasti, Ministria e Drejtësisë i hoqi licencën përmbarueses për shkak të shkeljeve disiplinore të përsëritura. /Gazeta e Prizrenit



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit