Hekuran Murati njofton për vdekjen e babait

- Bota Sot

Hekuran Murati njofton për vdekjen e babait

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë postimin prekës me rastin e vdekjes së babait të tij.

Ai njofton se edhe “e pamja është kryer sot” për babain e tij.

“Familjarë, miq e dashamirë nga të gjitha anët erdhën për të shprehë ngushëllime e për të nda dhimbjen me ne”, shprehet Murati.

Postimi i plotë

Pusho i qetë bab!

Sot u kry edhe e pamja.

Familjarë, miq e dashamirë nga të gjitha anët erdhën për të shprehë ngushëllime e për të nda dhimbjen me ne.

Erdhën shokët e shkollës e të studimeve. Na treguan se kishe qenë prej më të mirëve, por ndanë me ne edhe vështirësitë e asaj kohe - nga ecja me kilometra të tëra në këmbë nga Kishnapolja e thellë, e deri te marrja e bukës për një javë nga shtëpia, e cila ishte e ftohur pas ditës së parë e shpesh e mykur në ditën e pestë - sepse kushtet ekonomike ishin të tilla.

Erdhën kolegët me të cilët kishit punuar bashkë si mësimdhënës, por edhe nxënësit tuaj që tashmë shumica veçse kishin flokët e thinjura. Na treguan se përveçse e zotëroje mirë lëndën që ligjëroje asokohe, ti ishe edhe pedagog i mirë duke inkurajuar secilin të bëhej versioni më i mirë i vetes.

Erdhën edhe kolegët e punës nga fabrika e vajit të cilët na treguan për bashkëpunimin e mirë që kishit. Pati edhe tregime se si në disa raste ti e kishe pësuar me mos-avancim për shkak të integritetit e qëndrimeve parimore që mbaje. Na treguan edhe për kohën kur të gjithë u larguat nga puna nën masat e dhunshme.

Erdhën edhe kolegët nga ministria e financave, të cilët sot janë edhe kolegë të mi.

Nuk e lanë pa ardhë as shokët e shumtë me të cilët ke kalu kohë tash në vitet e pensionimit. Na treguan për diskutimet e shumta, planet që kishit bërë bashkë, por edhe barcoletat që tregonit. Na thanë që të kishin njohur si njeri i urtë, të cilit askush nuk ia kujton qoftë edhe një fjalë të keqe që rëndon.

Këto tregime janë vetëm disa copëza të karakterit tënd, por që këto ditë na bënë të ndihemi mirë sepse e kuptuam që edhe të tjerët kishin arritur sadopak të të njihnin ashtu siç të kemi njohur ne, fëmijët e tu.

Nana edhe ti bab, na latë më herët sesa që e prisnim. Kishim ende plane bashkë. Por dijeni që ju e keni përmbushur misionin sa na përket neve. Kurse neve, fëmijëve tuaj, na mbetet që të vazhdojmë rrugën me shpresën që do të mësohemi me dhimbjen.

Ju duam, dhe do t’ju kujtojmë përherë!

PS. Mos harro bani t’fala nanës kur e takon.



Lexoni të gjitha në Bota Sot