Policia ka realizuar një aksion të gjerë në funksion të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm.
SOperacioni është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25 prill, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të Rajonit të Prishtinës.
Siç bën të ditur policia, operacioni ka rezultuar tejet i suksesshëm, me ç’rast;
Janë inspektuar me sistem monitorimi, 75 lokacione të ndryshme, përfshirë këtu, shtëpi, lokale afariste dhe objekte përcjellëse.
Në 25 prej tyre janë ndërmarrë kontrolle të detajuara.
7 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe inspektoratet komunal për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave.
Janë iniciuar 10 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si: organizim i lojërave të fatit,posedim i paautorizuar i substancave narkotike,armëmbajtje pa leje,kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike.
Janë arrestuar 14 persona, të dyshuar për përfshirje direkte në këto aktivitete të paligjshme.
Nga ta, 7 janë ndaluar me masë mbajtjeje prej 48 orësh, ndërsa 7 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Përgjatë operacionit janë sekuestruar në cilësi të provave të rëndësishme edhe:
13 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe 1 boks metalik;Pajisje laboratorike për përpunimin e substancave narkotike, përfshirë një sasi të dyshuar narkotikësh në qese plastike;2726 euro para të gatshme;2 laptopë, 1 printer, një çantë me çipa dhe 15 palë letra bixhozi, si dhe,3 telefona mobil, të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive.