Interi, edhe shifrat i ka kundër

- Bota Sot

Interi, edhe shifrat i ka kundër

Barazimi në “San Siro” ndaj Lazios e ka reduktuar në minimum shpresën e Interit për të fituar titullin e 21-të kampion. Jo vetëm sepse Napoli pret në “Maradona” një Cagliari që është i shpëtuar dhe pa presion, por edhe statistikat e së shkuarës e bëjnë misionin e skuadrës së Inzaghit praktikisht të pamundur.

Që nga sezoni 2004-2005, i pari në epokën me 20 skuadra dhe sistemin me 3 pikë për fitore, asnjë skuadër nuk e ka fituar kampionatin me më pak se 82 pikë. Interi, në rast fitoreje ndaj Comos në javën e fundit, mund të arrijë maksimumi 81 pikë. Përjashtim mbetet sezoni i “Calciopolit” (2005-2006), kur titulli iu dha Interit me 76 pikë, ndonëse në fushë ishte Juventusi që e mbylli i pari me 91 pikë, para se të penalizohej dhe zbriste në Serie B.

Që nga ajo kohë, për t’u shpallur kampion nevojiten të paktën 82 pikë, kuotë që Napoli do ta arrinte pikërisht nëse mund Cagliarin. Për të gjetur një kampionat të fituar me kaq pak pikë, duhet të kthehemi pas në vitin 2011, kur Milani i Allegrit mposhti rivalët e qytetit me 82 pikë ndaj 76 të Interit.

E njëjta kuotë me të cilën Interi fitoi më 2010, në sezonin historik të tripletës. Atëherë skuadra e Mourinhos e mposhti Romën e Ranierit në javën e fundit (82 ndaj 80 pikëve). Në sezonin 2019-2020, ai i pandemisë, Juventusi i Sarrit u shpall kampion me vetëm një pikë më shumë se Interi i Contes (83 kundër 82).

Me fjalë të tjera, Napoli dhe Interi këtë vit më shumë kanë bërë një garë “breshkash” sesa “kuajsh gare”, sidomos po të kujtojmë se në 10 sezonet e fundit, katër herë me 82 pikë nuk janë renditur as të dytët.

Sido që të mbyllet kjo garë për titull, skuadra që do të dalë pa trofe do të ketë shumë pengje, sepse në javët e fundit, për arsye të ndryshme, si Napoli, ashtu edhe Interi, kanë lëshuar pikë vendimtare në momentet kyçe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot