Trajneri i Bajernit të Mynihut, Vinsent Kompany, ka zbuluar për herë të parë detajet e planeve të verës të ekipit të tij. Do të jetë një verë ndryshe për bavarezët, si dhe për shumë klube të tjera që marrin pjesë në Botërorin e Klubeve.
Tani që Bundesliga ka përfunduar, për të gjithë lojtarët e Bajernit, trajneri belg ka vendosur të pushojnë, por me një mendje te 14 qershori kur në SHBA starton dhe Botërori për Klube në formatin e tij të ri. “Do të jetë një periudhë e ngjeshur.
E gjithë skuadra do të jetë me pushime. Pastaj, disa nga djemtë do të shkojnë me Gjermaninë për Ligën e Kombeve. Ata pak që nuk shkojnë në ekipin kombëtar, do të marrin dy javë pushim. Pastaj do të jemi përsëri bashkë më 5 qershor”, zbuloi Kompan pas ndeshjes së fundit të sezonit kundër Hofenhaim.
Kompany ka qenë i qartë me lojtarët, duke lënë të kuptohet se të gjithë duhet edhe të punojnë gjatë pushimeve. “Sigurisht që duhet të punojmë dhe të stërvitemi gjatë pushimeve”, shpjegoi trajneri, duke iu referuar periudhave kur lojtarët nuk janë në stërvitje me ekipin. Shumë lojtarë të Bajernit do të udhëtojnë me ekipet e tyre kombëtare në javët e ardhshme.
Ndër të tjera, Finalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s do të zhvillohen nga 4 deri më 8 qershor 2025, në të cilën Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Franca do të luftojnë për titullin.
Këto caktime ndërkombëtare ndikojnë në disponueshmërinë e lojtarëve për përgatitjen për Kupën e Botës për Klube. Kompani natyrisht që ka folur dhe për Botërorin e Klubeve, duke e bërë të qartë se është në objektivin e Bajernit. “Ne do të shkojmë për ta fituar Kupën e Botës për Klube, kjo është e qartë”, deklaroi belgu.