Finalja e Kupës së Kosovës do të referohet nga gjyqtarët gjermanë, ashtu siç kishte paralajmëruar eksperti i referimit i emisionit “Favorit”, Hajriz Hajdari.
Robert Schroder, i cili ka referuar edhe në Bundesligën gjermane, pritet të jetë shef i gjashtëshes së gjyqtarëve gjermane në finale të Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Llapit, e cila do të luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Hajdari është shprehur kundër sjelljes së referëve të huaj në futbollin tonë duke insistuar se Kosova ka referë cilësorë, të cilët do ta drejtonin pa problem finalen e Kupës.
Sipas tij, qëllim kryesor i Federatës së Futbollit duhet të jetë avancimi i referëve vendorë, e jo “shkelja” dhe injorimi i tyre me sjelljen e referëve të huaj.
Dueli mes Prishtinës dhe Llapit do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00.