Portieri danez, Kasper Schmeichel, ka folur për herë të parë pas kritikave që ka marrë pas humbjes 5-2 të Danimarkës ndaj Portugalisë në çerekfinalen e Nations League.
Ai ka theksuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Kombëtarja e Danimarkës.
Gazeta daneze "Ekstra Bladet" e kishte kritikuar tridhjetë e tetë vjeçarin, duke shkaktuar reagime të shumta në vendin nordik.
Në një intervistë për "Daily Mail", Schmeichel është shprehur se ka mësuar që në fillim të karrierës të mos merret me ato që shkruhen për të.
Ai ka thënë tha se ka lindur në vitet tetëdhjeta dhe e ka kaluar fëmijërinë në vitet e nëntëdhjeta, një periudhë pa internet dhe telefona, gjë që e ka ndihmuar ta shmangë ndikimin e kritikave "online".
“Unë nuk kam lexuar asnjë fjalë nga ato që janë shkruar për mua”, ka thënë ai. “Futbolli është sporti më i popullarizuar në botë dhe të gjithë kanë mendime, gjë që është normale dhe diçka e mirë”.
Schmeichel ka nënvizuar se dëshiron shumë të luajë për Danimarkën dhe nuk mendon ta mbyllë karrierën.
“Kur isha fëmijë, ëndrra ime ishte të luaja për Kombëtaren dhe të vishja fanellën e Danimarkës. Të jem kapiten dhe të kem luajtur kaq shumë ndeshje është gjëja më e madhe për mua si futbollist”, ka thënë ai.
Schmeichel ka theksuar se dëshira, aftësia dhe dashuria për të luajtur për vendin e tij janë ende shumë të forta te ai.