Kombëtarja shqiptare do të përballet me dy sfida të ndryshme nga njëra-tjetra në muajin qershor, ndaj Serbisë dhe Letonisë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Duke parë rëndësinë e tyre, mundësia është që trajneri Silvinjo të grumbullojë 26 futbollistë për këto dy ndeshje, duke marrë parasysh masat për transfertën e largët të Rigës, e cila do të luhet tri ditë pas ndeshjes me Serbinë në “Arena Kombëtare”. Dy ndeshje delikate, e para me një ngarkesë emocionale dhe më pas një përballje me një Letoni, e cila ka treguar se mund t’i hapë punë çdo kombëtareje.
LISTA- Megjithatë, në fillimin e javës, braziliani do të publikojë edhe listën e lojtarëve që do të angazhohen në këto dy takime. Për t’i prekur pak repartet, në mbrojtje Shqipëria ka një grup të fortë lojtarësh, me emra, si Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla dhe Ajeti, të gjithë në formë të shkëlqyer, pa harruar këtu edhe Mihajn. Ndërsa Mario Mitaj, i cili ka lënë pas dëmtimin, do të rikthehet në krah dhe Aliji, me paraqitjet e fundit, e meriton një ftesë sërish, duke “djegur” Andi Hadrojin.
Balliu dhe Hysaj janë dy alternativat për krahun e djathtë të mbrojtjes. Në mesfushë, Laçi, Asllani dhe Ramadani janë të sigurt, por tre të rinjtë, Pajaziti, Berisha dhe Shehu, kanë mundësi të gjejnë vend në listë. Sa u përket lojtarëve të krahut, Hoxha, Bajrami, Muçi dhe Asani pritet të përfshihen, ndërsa me pikëpyetje është Taulant Seferi, i cili u la jashtë në muajin mars. Po ashtu, duke parë formën e dobët të Bajramit, Silvinjo mund të kthejë sytë nga Anis Mehmeti, megjithëse është një pozicion që ka “trafik”.
Po ashtu është përfolur për Baton Zabërgjën e Dinamos, por në këtë moment duket si i pamundur një kalim te Shqipëria. Në sulm dilema më e madhe mbetet zgjedhja mes Dakut dhe Uzunit, me të dy të fundit që janë në balotazh për një vend në listë. Po ashtu, Broja dhe Manaj janë lojtarë kyç që do të kërkojnë të luajnë një rol të rëndësishëm.
Një rikthim i mundshëm i portierit Etrit Berisha, që po luan në Suedi, mund të shtojë një mundësi të re për Silvinjon, ndërsa së fundmi është vëzhguar edhe Serxho Ujka i Egnatias. Mesfushori me tipare sulmuese është ndjekur nga afër disa herë prej stafit teknik të Kombëtares dhe nuk përjashtohet një grumbullim në këto dy ndeshje..