Një operacion i drejtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për kanosje të vazhdueshme ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës, përmes postës elektronike.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:00, në Prishtinë, ku pas një hetimi disa mujor dhe me bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, si dhe me përkrahje nga njësitë policore relevante, është zbatuar urdhëresa e Gjykatës për kontroll në një lokacion të dyshuar.
Personi i identifikuar si V. D. dyshohet se në mënyrë të përsëritur ka dërguar mesazhe kërcënuese përmes e-maileve në drejtim të disa institucioneve shtetërore, përfshirë: Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës, Universitetin e Prishtinës, si dhe zyrtarë të lartë të këtyre institucioneve.
Gjatë kontrollit, i dyshuari është arrestuar në vend, ndërsa në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Një laptop, një tablet, një telefon mobil, që dyshohet të jenë përdorur për dërgimin e mesazheve kërcënuese dhe për realizimin e veprës penale.
Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti mbetet në hetim të mëtejmë, në koordinim me organet kompetente.
Sinjali do të raportojë zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast të rëndë me karakter kibernetik dhe institucional.