Takimet e një delegacioni të FARDI-t me afaristë rahovecas në Bavari

- Bota Sot

Takimet e një delegacioni të FARDI-t me afaristë rahovecas në Bavari

Fundjavën që shkoi, respektivisht mes datave 15. e 18 maj, në disa qytete të Bavarisë nga bashkatdhetarë e afaristë rahovecas u organizua një pritje tejet vëllazërore për përfaqësuesit e shoqatës Forumi Anadrini (FARDI).

FARDI është një shoqatë joqeveritare e cila për anëtarë ka rahovecas të cilët jetojnë e punojnë në Prishtine. Qëllimi kryesor i kësaj shoqate është që të japin kontributin e tyre për qellim të zhvillimit shoqëror e ekonomik të komunës që kanë prejardhjen, pra Rahovecit.

Ndër detyrat e saja, FARDI ka vendosur që të kontaktojë edhe rahovecasit në Mërgatë. Kështu filloi me Bavarinë. Në këtë land të Gjermanisë, delegacioni i FARDI-t u takua me aktivistë e afaristë të suksesshëm sidomos nga Munihu, Augsburgu e rrethina. Takimet filluan me datë 15 maj, sapo zbritën nga avioni. Takimi i parë u realizua diku rreth 8 km nga aeroporti me ç’rast vizituan afaristët e njohur Bellaqa GmbH. Aty filloi edhe njohja konkrete me të arriturat e afaristëve Bellaqa, Pastaj po të njëjtën pasdite e deri në mbrëmje të vonë, vazhduan vizitat tek afarsitët Sylka e Fetahi. Njëkohësisht diskutimet dhe shkëmbimet e përvojave vazhduan edhe gjatë darkës së përbashkët në Munih.

Me datën 16 maj, shkëmbimet informative afariste të delegacionit vazhduan në Augsburg, Neuburg, Nyrnberg dhe Ansbach. Konkretisht, tek Fitim Thaqi, pronar në Drini Market, vëllezërit Thaqi në Neuburg, Selim Ukaj në Ansbach etj.

Me datën 17 maj, delegacioni i FARDI-t bëri vizita pune te afaristët rahovecas në Badwörishofen te afaristët Sylaj dhe në Kaufbeuren te afaristët Shala me ç’rast shihej qartë se zonat industriale e ekonomike të qyteteve përkatëse ishin pothuajse në pronësi të afaristëve rahovecas. Arritje këto kompakte që rrallë diku tjetër i gjen.

Kudo që delegacioni bëri vizita, gjithnjë e më tepër mahniteshin me të arriturat e bashkëvendësve rahovecas në Bavari. Shkëmbimet profesionale e ekonomike që u realizuan këtu do të jenë detyrat tona të përbashkëta si rahovecas kudo që jetojmë.

Me datën 17 maj 2025, në mbrëmje u mbajt një seminar i përbashkët në hotelin Alte Postalterei në Zusmarshausen i cili është në pronësi të bashkatdhetarit të njohur, Ilir Seferi. Në këtë seminar, ku morën pjesë mbi 60 afaristë e aktivistë të palodhshëm, u bë përmbledhja e rezultateve të marra në teren si dhe të ideve e përvojave të sjella nga Kosova, duke i dhënë organizimit një kuptim tjetër për të ardhmen. Aty u dhanë ide të ndryshme që të realizohen projekte, që në të ardhmen do të jenë në dobi për Rahovecin me rrethinë, me karakter investuese, por në format më të avancuara të bashkëpunimit afarist rahovecas si në Kosovë ashtu edhe të Mërgatës.

Pas përfundimit të takimit delegacioni i FARDI-t, shpërndau disa mirënjohje për punën dhe aktivitetin organizativ e afarist, ndërsa nikoqiri i Hotelit në Zusmarshausen z. Ilir Seferi i ndau delegacionit nga një shenjë simbolike të hotelit. Z. Mislim Berisha, njëri prej anëtarëve të ekipit organizator dhe mikpritës, i ndau nga një shenjë simbolike të afaristëve rahovecas në të cilën shënonte: E dua Rahovecin, afarist në Bavari - me stil dhe vizion.

Shkëmbimet mes afaristëve nga Bavaria dhe delegacionit FARDI po vazhdon me një intensitet të madh si në shkallë individuale ashtu edhe në shkallë të përfshirjes së përgjithshme, p.sh. prezantimi në takimet e kryesisë FARDI nga ana e Isuf Shalës, takimet me z. Fitim Thaqi etj..dhe ftesa për pjesëmarrje në simpoziumin e 27 majit 2025, si dhe gatishmëria e fëmijëve shqiptarë në Mërgatë me origjinë nga komuna e Rahovecit, për të marrë pjesë në garën për poezi “Xhevdet Bajraj”, nën drejtimin e kryetarit të LAPSH-it, Milazim Morina, janë iniciativa të cilat japin shpresë për një bashkëpunim konkret dhe më intensiv për të ardhmen dhe për të mirën e komunës së Rahovecit.

Takimi i radhës i rëndësisë së veçantë është me 2 gusht 2025, me ç’rast nën drejtimin e FARDI-t mbahen ditët kulturore FARDI-Fest në Gradish të Rahovecit. Në këtë program janë integruar edhe aktivitete të përbashkëta me mërgatën rahovecase.



Lexoni të gjitha në Bota Sot