Egnatia vazhdon intensivisht punën për pjesëmarrjen në Champions League dhe për sezonin e ri.
Rrogozhinasit po punojnë me shumë kujdes dhe po shqyrtojnë çdo detaj në lidhje me ekipin që do t’i përfaqësojë në sezonin e ri.
Kështu deri më tani janë gati 3 rinovime dhe një afrim, por siç mësohet në këtë muaj nuk do të bëhet asnjë zyrtarizim. Afrim i sigurtë mund të konsiderohet Kastriot Selmani që vjen nga Drita, ndërsa pritet të vazhdojnë kontratën me kampionët edhe Albano Aleksi, Edison Ndreca dhe Arbin Zejnullai.
Ndërkohë përflitet se ekipi i Edlir Tetovës kërkon edhe Rrok Toman dhe Florjan Përgjonin, bisedimet me të cilët vazhdojnë dhe vetëm në ditët në vazhdim mund të mësohet më shumë mbi këto pista.